Partia Demokratike ka njoftuar këtë të enjte një mbledhje të grupit parlamentar, e programuar për të nisur në orën 09:00.
Enkelejd Alibeaj tha se në këtë mbledhje nuk do të jetë i ftuar Sali Berisha, ish-kryeministri e ka konfirmuar pjesëmarrjen. Ai u shpreh për mediat, se do të jetë i pranishëm në mbledhje, pasi ky sipas tij është vullneti i demokratëve në Kuvendin e 11 dhjetorit dhe zgjedhjet e 6 marsit.
“Përshëndetje!
Nesër në orën 09:00 do të zhvillojmë mbledhje grupi në seli.
Ju faleminderit!”, thuhet në mesazhin që i ka dërguar grupit të PD-së, Arbi Agalliu, sekretar i grupit.
Ndërkohë, pyetjes së gazetarëve nëse do të jetë i pranishëm në mbledhje Berisha iu përgjigj:
“I pari që do të jetë në atë mbledhje është Sali Berisha. Sali Berisha ka një detyrim madhor absolut nga Kuvendi i 11 dhjetorit, të konfirmuar me referendumin e 18 dhjetorit dhe me zgjedhjet e 6 marsit. Nuk e di nëse zoti Alibeaj të jetë shprehur kështu dhe nëse ju ka autorizuar ju”, tha Berisha.