Ditën e sotme SPAK ka kërkuar autorizimin e Kuvendit për të arrestuar deputetin e Partisë Socialiste Alqi Bllako.
Dyshohet se ky i fundit gjatë kohës që ka qenë sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit është përfshirë në aferën e inceneratorit të Fierit.
Emri i Bllakos është lakuar shumë sidomos kohët e fundit, kur zhvilloi punimet edhe komisioni hetimor parlamentar.
Por kush është e shkuara e Alqi Bllakos?
Ai ka përfunduar studimet e larta pranë Universitetit të New York-ut Tiranë si dhe ka kryer disa studime pas-universitare, Master Shkencor në drejtimin Financë dhe Kontabilitet nga Universiteti i New York-ut dhe MBA me drejtim Banke dhe Tregje Financiare në bashkëpunim me Institutit Kurt Bosch në Zvicër, diplomuar ne te treja rastet si student i ekselences.
Në vitin 2013 ai u emërua sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, e cila në atë kohë drejtohej nga ministri i LSI-së, Lefter Koka.
Në CV-në e tij thuhet se gjatë atyre katër viteve ai ka iniciuar dhe udhëhequr reforma të rëndësishme administrative dhe politike, duke përballuar me sukses sfidën e rritjes së performancës së kësaj Ministrie dhe duke garantuar rrugën drejt një zhvillimi të qëndrueshëm të mjedisit shqiptar.
Teksa LSI-ja doli nga koalicioni e për rrjedhojë e humbi edhe ministrinë e Mjeidisit, Bllako nisi punë si sekretar i Përgjithshëm në Presidencë pranë kreut e shtetit, Ilir Meta.
Këtë pozicion ai e mbajti deri në shkurt 2019, kur vendosi të largohet nga Presidenca, e për rrjedhojë edhe nga LSI-ja. Në atë kohë i erdhi oferta për tu emëruar Drejtor të Përgjithshëm të Agjencisë së Ujësjellës-Kanalizimeve e Landfilleve.
Pas dy viteve në këtë drejtori ai u kandidua nga kryeministri Rama edhe në një nga zonat e Tiranës për deputet në zgjedhjet e 25 Prillit, duke fituar edhe mandatin, i cili do të diskutohet së fundmi në Këshillin e Imuniteteve edhe Mandateve nëse do ti hiqet dhe do ti hapet rruga arrestimit të tij.
SEKUESTRIMI I PRONAVE
Ditën e sotme ashtu SPAK bëri të ditur se ka vendosur në sekuestro pasuritë e babait të tij, Edmond Bllako, i cili sipas akuzave të PD-së përfitoi para nga koncensioni i inceneratorëve.
“Caktimi i masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për pasurinë në zotërim të shtetasit E. B (Edmond Bllako)., lloji i pasurisë “apartament”, me sipërfaqe 99.48 m2, me adresë Tiranë, me vlerë sipas kontratës shitblerjes në shumën 144,246 Euro, që përmbush vlerën ekuivalente të përfituar në mënyrë të paligjshme nga shtetasi Alqi Bllako në shumën 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë.
Shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar sot në datën 29.03.2022 masën e sigurimit personale të vendosur ndaj shtetasit Lefter Koka, Pëllumb Abeshi, Azem Shatëri, Florjan Muçaj, Sabina Cenameri, si dhe janë duke u kryer veprimet e nevojshme ekzekutimin e masave të sigurimit për shtetasit e tjerë. Gjithashtu po kryhen veprimet për vënien në administrim të Agjensisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara Tiranë, të pasurive të sekuestruara.
Për shtetasin Alqi Bllako, nisur nga fakti që është i zgjedhur deputet në Kuvendin e Republikës së Shjqipërisë, Prokuroria e Posaçme bazuar në parashikimet e nenit 73/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 288/1/2 të Kodit të Procedurës Penale, do të paraqesë kërkesë Kuvendit për dhënie të autorizimit për caktimin e masës sigurimit personal “arrest në burg””, thekson SPAK.