Presidenti Ilir Meta ka kujtuar sot 25-vjetorin e tragjedisë së Otrantos, ku qindra shqiptarë humbën jetën pas përplasjes me një anije italiane.
Ai e kujton ngjarjen si nga më të dhimbshmet që i kanë ndodhur kombit tonë.
Kreu i Shtetit shton se eksodi i shqiptarëve vijon edhe sot e se duhet bërë çdo gjë që të ndalet.
MESAZHI I PLOTE
Në 25-vjetorin e Tragjedisë së Otrantos, përkujtojmë me dhembje jetët e humbura në përpjekjet dëshpëruese për të gjetur një të ardhme më të mirë larg Shqipërisë.
Për fat të keq, ndonëse në forma të tjera, eksodi i pandalshëm i shqiptarëve po vazhdon ende edhe sot, me ritme alarmuese, aq sa shpopullimi vijon të jetë drama më e madhe, që po i ndodh vendit.
Të bëjmë të gjitha përpjekjet që nevojiten, me përgjegjshmëri, atdhetari dhe profesionalizëm, për të ndalur këtë fenomen tragjik dhe për t’u dhënë mundësi të reja, në veçanti të rinjve, për të ndërtuar të ardhmen e tyre të sigurt në Atdhe!