Ndërsa situata në Ukrainë është në fokusin e mbarë botës, Rusia ka rindërtuar pa bujë lidhjet me Afrikën, duke forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe ushtarak në kontinent. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Carol Guensburg, kjo strategji po ngre shqetësime në Perëndim për taktikat dhe qëllimet e Rusisë në Afrikë.
Flamujt rusë valëviteshin në kryeqytetin e Burkina Fasos pas grushtit ushtarak të shtetit në janar në këtë vend të Afrikës Perëndimore.
Një statujë e zbuluar në Republikën e Afrikës Qendrore vjeshtën e kaluar tregon ushtarë vendas të mbështetur nga luftëtarë rusë, duke mbrojtur civilët.
Këto janë simbolet më të dukshme të pranisë së rigjallëruar të Rusisë në kontinent.
Në vitin 2019, në samitin e parë ruso-afrikan të drejtuesve politikë dhe të biznesit, Presidenti rus Vladimir Putin e bëri të qartë se Afrika është një përparësi për Rusinë.
“Në samit u ra dakord për të krijuar një mekanizëm të ri për dialog në formën e një partneriteti Rusi-Afrikë”, tha presidenti Putin.
Një samit i dytë është planifikuar për në tetor në Shën Petersburg. I pari, i mbajtur në Soçi, solli marrëveshje diplomatike dhe marrëveshje me vlerë miliarda dollarë për armët, bujqësinë, energjinë dhe më shumë.
Lëvizjet e Moskës në vitet e fundit kanë ofruar bashkëpunim pa ato që zoti Putin i ka quajtur “konsiderata politike apo të tjera” të imponuara nga vendet perëndimore.
“Rusia, ashtu si ish-Bashkimi Sovjetik më parë, ofron një vizion alternativ për vendet afrikane. Dhe nëse ka një tipar të përbashkët midis asaj që po bëjnë rusët tani dhe asaj që bënin sovjetikët, është kritika e njohur antiperëndimore”, thotë Maxim Matusevich me Universitetin Seton Hall.
Përhapja e ekstremizmit islamik militant dhe dhunës në Afrikë ka krijuar më shumë hapësirë për ushtrinë ruse.
Në Mali, po kështu është krijuar hapësirë për rusët nga tërheqja e planifikuar e trupave nga Franca, ish-sundimtarit kolonial të Malit dhe vendit partner në luftën kundër xhihadistëve për gati një dekadë.
Kontraktorët ushtarakë privatë nga Rusia po ndihmojnë gjithashtu në avancimin e planeve të Moskës në Afrikë, thonë vëzhguesit perëndimorë.
Këta përfshijnë luftëtarë të grupit të fshehtë Wagner që dyshohet se kontrollohet nga bashkëpunëtori i Putinit, Yevgeny Prigozhin. Presidenti Putin ka mohuar çdo lidhje me grupin.
“Nuk është biznes shtetëror… Është biznes privat me interesa private të lidhura me nxjerrjen e burimeve të energjisë, përfshi burime të tjera si ari apo gurë të çmuar”, tha presidenti Putin.
Por ekspertët thonë se cilido qoftë synimi, rezultati është se aty ku shfaqet grupi Wagner, pasojnë telashet.
“Çdo vend ku kemi parë të jetë dislokuar grupi Wagner nëpër botë dhe në Afrikë – qoftë Libi, Sudan, Mozambik, apo Republikën e Afrikës Qendrore – ka qenë një forcë destabilizuese”.
Joseph Siegle me Qendrën Afrikane për Studime Strategjike … thotë se mercenarët janë pjesë e mjeteve që përdor Moska për të mbështetur udhëheqësit e dobët afrikanë në këmbim të avantazheve ekonomike apo favoreve të tjera. Ata ndihmojnë elitat, jo qytetarët e zakonshëm.
“Ajo që ka bërë Rusia është vendosja e mercenarëve, dezinformimi, ndërhyrjet në zgjedhje, marrëveshjet e armëve për burime apo kontrata të errëta”, thotë Joseph Siegle.
Kombet e Bashkuara po hetojnë njoftimet për shkelje “të rënda” të të drejtave të njeriut në Republikën e Afrikës Qendrore, të kryera nga personeli ushtarak privat.
Në Mali, udhëheqësit e një grushti ushtarak të vitit 2020 kanë sjellë trajnuesë ushtarakë rusë – dhe ato që autoritetet amerikane dhe franceze thonë se janë mercenarë të kompanisë Wagner.
Disa banorë të Malit i mirëpritën ata duke valëvitur flamuj rusë, duke reflektuar jo vetëm lidhjet historike të vendit me ish-Bashkimin Sovjetik por edhe humbjen e durimit të publikut ndaj pasigurisë së vazhdueshme.
“Në vitin 2013, e gjithë popullsia e Malit ishte entuziaste kur francezët mbërritën në vend. Dhe mund ta shihni sot…ata po e refuzojnë praninë e tyre. Të them të drejtën, nuk do të isha shumë i befasuar nëse, pas dy vitesh apo më shumë, e njëjta gjë do të mund të ndodhte edhe me praninë ruse”.
Niagale Bagayoko, e cila kryeson Rrjetin e Sektorit të Sigurisë Afrikane, thotë se vendet afrikane po tregojnë një gatishmëri për të parë përtej një partneri të vetëm të huaj.
“Është kuptur fakti se të qenit i angazhuar vetëm me disa aktorë të vetëm apo me një grup të vetëm vendesh kufizon mundësinë për diplomaci, por edhe për bashkëpunim ushtarak”.
Rusia nuk është e vetmja qeveri e huaj që po përpiqet të zgjerojë ndikimin në Afrikë, me burime të mëdha dhe një popullsi të re në rritje. Shtëpia e Bardhë planifikon një samit të dytë SHBA-Afrikë më vonë këtë vit.
Bashkimi Evropian ka njoftuar gjithashtu një investim të ri prej 172 milionë dollarësh në infrastrukturë, për të kundërshtuar nismën e Kinës “Një Brez, Një Rrugë”.
Kina ka qenë partneri më i madh ekonomik i Afrikës për të paktën një dekadë./ Marrë nga VOA