Presidenti amerikan Joe Biden mbajti të dielën një bisedë telefonike me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelenskiy, një ditë pasi i tha presidentit rus Vladimir Putin se Perëndimi do të përgjigjej me vendosmëri ndaj çdo sulmi të mundshëm.
Shtëpia e Bardhë tha se në telefonatën me zotin Zelenskiy “Presidenti Biden rikonfirmoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”.
“Presidenti Biden e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët dhe partnerët e tyre do të përgjigjen me shpejtësi dhe vendosmëri, ndaj çdo agresioni të mëtejshëm rus kundër Ukrainës”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.
Dy udhëheqësit ranë dakord se është e rëndësishme që të vazhdojnë përpjekjet diplomatike në përgjigje të grumbullimit të trupave ushtarake ruse në kufijtë e Ukrainës.
Shtetet e Bashkuara thanë të dielën se Rusia mund të sulmojë Ukrainën në ditët e ardhshme dhe mund të krijojë një pretekst të rremë për një ndërhyrje të mundshme.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan tha për CNN-in se Uashingtoni nuk mund ta parashikojë me siguri absolute ditën e ndërhyrjes por se një sulm rus në Ukrainë mund të ndodhë nga dita në ditë.
“Ne do të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s dhe besojmë se Rusia e kupton plotësisht këtë mesazh,” tha zoti Sullivan në një intervistë tjetër me emisionin “Face the Nation” të televizionit CBS.
Ukraina nuk është pjesë e aleancës së NATO-s.
Zyrtarët e lartë amerikanë thanë se nuk mund të konfirmonin njoftimet se zbulimi amerikan ka të dhëna se Rusia planifikon të sulmojë të mërkurën, por thanë se do të përpiqeshin të parandalonin çdo “sulm të befasishëm” të mundshëm, duke bërë publike gjithçka që dinin lidhur me planet e Rusisë.
Zëdhënësi i Pentagonit John Kirby tha të dielën se nuk ishte “në gjendje të konfirmone njoftimet” se Rusia do të sulmojë të mërkurën.
Por në një intervistë për emisionin “Fox News Sunday”, zoti Kirby tha se një ndërhyrje ushtarake ruse mund të ndodhë çdo ditë.
“Këto vlerësime vijnë nga një sërë burimesh dhe jo vetëm brenda zbulimit por edhe nga ajo që shohim në terren. Mbi 100,000 trupa tani vazhdojnë të jenë të grumbulluara në kufirin me Ukrainën”, tha ai.
Ndërkohë Presidenti i Ukrainës, Zelenskiy tha se deri tani nuk kishte parë prova bindëse për një sulm të mundshëm rus brenda disa ditësh.
Si zoti Sullivan dhe zoti Kirby paralajmëruan përsëri se amerikanët duhet të largohen nga Ukraina.
Uashingtoni, aleatët evropianë të Shteteve të Bashkuara dhe të tjerë kanë reduktuar ose evakuuar personelet e ambasadave dhe u kanë kërkuar qytetarëve të tyre të largohen menjëherë ose të shmangin udhëtimin në Ukrainë.
Personeli amerikan në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) filloi të largohej nga qyteti Donetsk i kontrolluar nga separatistët pro-rusë në Ukrainën lindore të dielën, i tha një dëshmitar agjencisë Reuters.
Megjithatë Uashingtoni thotë se rruga diplomatike mbetet e hapur.
“Mënyra më e thjeshtë që Moska të tregojë se do të ndjekë atë rrugë është që të çtensionojë situatën dhe jo ta përshkallëzojë atë”, tha Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken të dielën.
Moska mohon të ketë një plan për sulm por bisedimet e nivelit të lartë midis zyrtarëve të lartë rusë dhe perëndimorë ditët e fundit nuk kanë sjellë ndonjë rezultat. /VOA/