Ish-zv.kryeministri Erion Braçe, aktualisht deputet i Partisë Socialiste foli sot gjatë seancës parlamentare për problematikat e bujqësisë.
Nga foltorja e Kuvendit, ai tha se me fitimet që ka, bujku nuk merr dot as rrogën minimale që është në vendin tonë.
“Ekonomia u rrit me 5.53%, ndërkohë bujqësia u rrit me vetëm 0.01%. Në tre mujorin e dytë të vitit 2021, ekonomia u rrit me 17.79%, bujqësia pësoi rënie me 0.19%. 3-mujori i tretë i vitit 2021 shënoi një rritje ekonomike 6.99% ndërsa bujqësia njohu një rritje me 0.05 %. Pra, ekonomia është rritur, vlera e shtuar gjithashtu, por jo bujqësia dhe jo në bujqësi. 45-50% e popullsisë duket e përjashtuar nga rritja ekonomike dhe natyrisht dhe nga të ardhurat e ardhura prej saj. Kjo është pabarazi. Rritja ekonomike me pabarazi është iluzion. Ka arsye pse ndodh kjo. Në bujqësi kanë rëndësi dy elementë të rëndësishëm: e para, kostot e prodhimit dhe e dyta, çmimet e produkteve bujqësore e blegtorale.
Nëse kosto rritet dhe çmimet mbeten në vend, është e qartë nga kjo skemë që bujku falimenton. Edhe nëse ndodh për një cikël të dytë prodhimi, s’ka më para as të mbjellë. Do ju bëj një llogari të thjeshtë për produktet bujqësore për një dynym. Totali i shpenzimeve është 20,100 lekë, të ardhurat janë 15000 lekë , 5100 lekë humbje për grurin. Për misrin totali i shpenzimeve është 23.100 lekë, të ardhurat janë 25600 lekë, 2500 lekë fitim dhe po të llogarisësh shkon më pak se paga minimale në këtë vend. Imagjino një bujk që në 5-6 muaj nuk nxjerr as pagën minimale,” tha Braçe.