Në Shqipëri, presidenti Ilir Meta njoftoi sot se ka firmosur dhe dorëzuar kallëzimin penal kundër parlamentit për akuzën e falsifikimit të dokumentave. Kallëzimi ka të bëjë me një kopje të urdhërit për thirrjen e seancës së datës 7 maj 2021, të parlamentit, ku iu hap rruga procesit për shkarkimin e zotit Meta. Shkresa e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kur seanca publike për këtë çështje ishte drejt fundit, rezulton të ketë ndryshime në datë dhe në përmbajtje, nga ajo që është e publikuar dhe sot e kësaj dite në faqen zyrtare të parlamentit. Ky institucion u shpreh sot përmes një deklarate se pretendimet për manipulim apo falsifikim nuk qëndrojnë
“Kjo është një padi shumë e rëndësishme, sepse krimi i falsifikimit, është shumë flagrant. Ndodh për herë të parë në një seancë publike të Gjykatës Kushtetuese, nga Parlamenti i Shqipërisë, në një proces që ndodh për herë të parë në 30 vite, kundër kreut të Shtetit, presidentit të Republikës”, u shpreh zoti Meta, në një dalje të posaçme publike.
Akuza ndaj parlamentit ka të bëjë me dy variante të ndryshme të urdhërit të firmosur nga kryetari i parlamentit të kaluar Gramoz Ruci, për thirrjen më 7 maj 2021, të seancës ku u miratua raporti i Komisionit të Ligjeve, për kërkesën e deputetëve për nisjen e procedurave të shkarkimit të presidentit Iir Meta, si dhe vetë ngritja e Komisionit hetimor për këtë çështje.
Përfaqësuesit e presidentit edhe në seancat e zhvilluara në Gjykatën Kushtetuese i kanë mëshuar shkeljeve të shumta të procedurave, që sipas tyre, kanë shoqëruar procesin e shkarkimit. Ndër shkeljet e evidentuara prej tyre është dhe thirrja e seancës në më pak se 48 orë nga njoftimi, si dhe miratimi i dy çështjeve, ndërkohë që në rend dite ishte përfshirë vetëm një çështje, e për me tepër, që e dyta u fut pa ndonjë kërkesë paraprake.
Pikërisht me këtë fakt, lidhet sipas tyre, shkresa që u paraqit papritur në gjykatën Kushtetuese në datën 4 shkurt, pa kërkesë as të gjykatës dhe as të përfaqësuesve të zotit Meta. “Parlamenti, përmes përfaqësuesve të tij i demonstron dhe i deklaron Gjykatës se këto prova të reja i kemi sjellë me qëllim rrëzimin e pretendimeve të presidentit. Nuk është fshehur prej parlamentit. Por do t’i rrëzonin përmes ndryshimit të datave dhe ndryshimit të përmbajtjes së asaj që do të futej në seancë parlamentare, që të justifikonin që “ne miratuam dy vendime, se kështu ishte pika e rendit të ditës dhe kemi respektuar rregulloren për 48 orëshin”, deklaroi Bledar Dervishaj, këshilltari ligjor i presidentit.
Ndërsa në dokumentin e botuar në faqen zyrtare të parlamentit, urdhëri për thirrjen e seancës mban datën 6 maj, varianti i dorëzuar në gjykatë nga parlamenti, mban datën 5 maj të lëshimit të urdhërit, ndërsa vetë shkresa është e datës 6 maj. Ndryshimet janë dhe në rendin e ditës, në përmbajtjen e pikës për çështjen e cila debatohet.
Për më tepër dyshimet shtohen kur mbahet parasysh se rendi i ditës, në shkresën e re, që mban datën 5 maj, përmban miratimin e raportit të Komisionit të ligjeve, në një kohë kur ky komision e votoi atë vetëm një ditë më vonë, më pak se 24 orë nga zhvillimi i seancës.
Sot parlamenti reagoi duke deklaruar se “përsa i takon pretendimeve të Presidentit të Republikës për manipulim ose për fallsifikim, me përgjegjësi të plotë sqarojmë se këto pretendime nuk qëndrojnë. Parlamenti i Shqipërisë, në datën 4 shkurt 2022, ka depozituar pranë Gjykatës Kushtetuese dokumentacionin zyrtar ligjor që lidhet me çështjen në shqyrtim”.
Por deklarata e Parlamenti, nuk jep asnjë shpjegim për ekzistencën e dy varianteve të së njejtës shkresë, apo se si si ka mundësi që ish kryetari i parlamentit Gramoz Ruci të ketë firmosur dy herë, dy variante të të njejtit urdhër.
Kallëzimi penal i është dërguar si Prokurorisë së Tranës ashtu dhe SPAK-ut pasi sipas presidentit, në këtë çështje mund të jenë përfshirë përveç zyrtarëve të lartë të administratës dhe funksionarë apo ish funksionarë të lartë të nivelit politik./VOA