Nënë Liza, e moshuara që është kthyer tashmë në simbol të protestës së banorëve të “5 Majit” ishte sot sërish përpara Parlamentit. Ajo kërkoi ndër të tjera që të marrin kontrata të rregullta për pronat e tyre.
Nënë Liza tha se që prej datës 19 janar kur u shembën banesat po flenë jashtë dhe janë lënë në mëshirë të fatit. Sipas saj bashkia u ka dhënë dokumente false, ndërsa situatën e cilësoi si luftë brenda për brenda.
“Jemi pro zhvillimit, por jo të na nxjerrin jashtë në mëshirë të fatit. I bëj thirrje policisë të mos fusnin njerëz se jemi popullsi civile. Ishim te seanca Gledis Nano iku dhe nuk dha përgjigje. U bëj thirrje tu japin kontrata të gjithëve. Unë jam në rrugë të madhe sot me 13 familjarë. Nuk jemi duke bërë luftë me serbin, as me turkun, jemi në luftë brenda për brenda. I bëj thirrje Gledis Nanos se iku atë ditë, nuk ke mi gjuajtur ne mbi policinë por ata mbi ne. U bëj thirrje deputetëve se për votën vijnë. U bëj thirrje të plotësojnë letrat që duhen, jo false. S’ka shtet dhe polici që më rren mua. Unë nuk lëshoj firmë. Që prej datës 19 po flemë jashtë. Protesta do vazhdojë ditë për ditë”, tha ajo.