Zv.Kryeministri Erion Braçe ishte shumë i motivuar në fjalimin e tij në takimin elektoral të fushatës pa rival në qytetin e Divjakës. Braçe në mes të sulmeve dhe deklaratave injoruese për pjesën Opozitare në vend ka bërë edhe disa deklarata të forta.
Numri dy i qeverisë shqiptare tha se kanë kaluar vetëm 2 vite nga formimi i qeverisë Rama, por sipas tij do duhen edhe 20 vite të tjera për të marrë atë që ai e quan djersë balli.
“Dy vite kanë kaluar nga dita e ndryshimit. Duhet të kalojnë 20 vite që ju të merrni djerësn e ballit tuaj. Në 30 qershor ne nuk kemi rivalë përballë ne kemi një takim me popullin.”- tha Braçe.
Kjo deklaratë e Braçes ngjason me një paralajmërim për një regjim shumë jetëgjatë që ka ndërmend të qeverisë Shqipërinë për 20 vite rresht.
Më tej Braçe iu ka bërë thirrje qytetarëve të Divjakës të pranishëm në këtë miting që pasi të luftojnë për veten në 30 qershor për veten, duhet të luftojnë edhe për Partinë Socialiste. Ai i ka porositur myzeqarët e Divjakës që kur të shkojnë të votojnë në 30 qershor të marrin me vete edhe 20 ose 30 vetë të tjerë.
“Ne nuk shitemi ne nuk blihemi, ne e duam këtë vend. Çdo njeri duhet të sjellë në qendër votimi 20 deri në 30 vetë. Duhet të luftojmë për vetën tonë, duhet të luftojmë për PS duhet të luftojmë për Shqipërinë. Duhet t’i japim fund padrejtësisë. Një thirrje kam mos mungoni në 30 qershor. Nuk ka për t’ju penguar askush. Ta harrojë nëse do të na pengojë kush që ne të shkojmë para. Ne duhet t’ia kujtojmë të gjithëve që duhet të vijë te qendra e votimit dhe të votojë për Partinë Socialiste.”- tha Erion Braçe, ndër të tjera. /Fast News Albania