Nxjerrja e databazës së pagave ka ngjallur mjaft reagime te të gjithë.
Sipas pedagogut Arlind Qori kjo gjë është e dobishme në thelb pasi shërben për të parë pabarazitë të cilat janë të pajustifikueshme.
Në një intervistë për MCN, Arlind Qori tha se publikimi i këtyre të dhënave mund të stabilizojë një grup njerëzish, por jo vendin dhe siç u shpreh ai në vendin tonë është e nevojshme të trazohen ujërat.
INTERVISTA
- Qori, shpërndarja e të dhënave personale ka vënë në pikëpyetje sigurinë e institucioneve përgjegjëse për ti garantuar ato. Ju, mendoni se është një sulm, një skemë destabiliteti, apo një skandal që do shuhet shpejt?
Qori: Nuk e di se nuk jam hetues, por di diçka që këto të dhëna këtë herë iu shfaqën publikut sepse atyre që u duhen i kanë këto të dhëna. Është shkelje ligji, por në thelb mendoj se është diçka e dobishme. Ne po shohim pabarazinë, ka paga që nuk justifikohen. Kjo është shkelje e ligjit dhe besoj ka filluar shumë më herët thjeshtë tani është në sytë e të gjithëve dhe kjo na shërben të kuptojmë ku jetojmë.
Pse mendoni se përfaqësues të medias, analistë të saj, kanë pasur reagim të ulët? Pra, nuk kanë reaguar siç i kemi parë të reagojnë për çështje të tjera.
Qori: Nuk kam hasur ndonjë gazetar të thjeshtë që të ankohet nga kjo gjë, që kanë pagë 30 mijë lekë. Njerëzit e thjeshtë ta thonë vetë që marrin 200 mijë lekë dhe e thonë të revoltuar. Kurse ata që nuk i meritojnë këto para e kanë problem ta thonë. Është kontradiktore kur vjen puna tek ata që janë mbrojtës të së drejtës. Të ishte për mua do ti jepja më shumë para një gazetari që shkon në terren se sa një analisti që shkon me duar në xhepa në një emision. Mua më ka ndodhur të shkoj nëpër emisione dhe të them që taksimi mbi pagën duhet të jetë më i madh dhe kam hasur kundërshti.
A mund të nxisë kjo një konflikt social?
Qori: Kur ne miliona njerëz paguhemi shumë keq, si ka mundësi që kaq pak njerëz paguhen kaq shumë. Këtu konflikti është latent. Në Shqipëri ka gjithmonë konflikt.
Deri ku duhet të kishte shkuar përgjegjësia?
Qori: Qeveria nuk e ka mohuar vërtetësinë e të dhënave. Mund të destabilizohet një grup njerëzish që kanë kapur vendin dhe ky grup duhet të destabilizohet. Ne kemi nevojë ti trazojmë ujërat. Ata që sduhet ti kishin i kanë pasur këto të dhëna dhe më parë dhe sot thjeshtë i ka kuptuar populli. Imagjinoni sikur të dinim dhe pasuritë e atyre që ne i quajmë oligarkë. Ne duhet të organizohemi me njëri-tjetrin. Ne jetojmë në kushte të padenja, 90% e qytetarëve jetojnë si të tillë.
A është thyer besimi tek procesi i digjitalizimit sipas jush?
Qori: Shoqëria nuk ka pasur besim tek shteti ndonjëherë. Ne jemi tradhtuar, në këtë kuptim kjo ishte një provë shtesë. Ne na duhet besimi tek njëri tjetri, jo tek institucionet e mbrapshta. Nëse do të arrinim këtë vetëm atëherë do krijonim institucione të denja, ne e dimë që ato nuk punojnë për ne dhe kësisoj nuk janë tonat.