Partia Demokratike u themelua më 11 dhjetor të vitit 1990.
Sot në njërën anë lideri historik i saj, ish-kryeministri Sali Berisha po zhvillon atë që quhet si Kuvendi Kombëtar i rithemelimit, ndërsa në anën tjetër kreu aktual i PD Lulzim Basha ka organizuar një festë në selinë blu.
Në një kohë që në stadiumin “Air Albania” po mbahen punimet e Kuvendit Kombëtar, pranë selisë së PD janë dislokuar disa qindra forca policore, të pozicionuara pranë Kuvendit dhe xhamisë, metëm pak metra larg selisë së demokratëve.
Dhe si të mos mjaftonte kjo, Kryeministri Edi Rama ka përcjellë një mesazh, pothuajse të koduar në rrjetet sociale.
Rama ka shpërndarë një thënie të Emil Cioran ku flitet për një person në majat e dëshpërimit që kapet pas pasionit të absurdit si e vetmja forcë që mund të hedhë dritë mbi terrin e kaosit.
“Në majat e dëshpërimit, pasioni i absurdit është e vetmja forcë që mund të hedhë një dritë djallëzore mbi terrin e kaosit. Kur të gjitha arsyet – morale, estetike, fetare, sociale e me radhë – pushojnë së udhëhequri jetën e dikujt, si mundet ai të jetojë pa iu dorëzuar hiçasgjësë?
Vetëm duke u kapur pas absurdit, pas dashurisë për padobishmërinë absolute, duke dashuruar diçka që s’ka asnjë thelb por që simulon iluzionin e jetës. I bie të jetosh vetëm e vetëm sepse malet nuk qeshin dhe krimbat nuk këndojnë”, shkruan Rama.