Presidenti Ilir Meta ka vendosur të kthejë në Kuvend për rishqyrtim ligjin për “Buxhetin 2022”.
Në argumentet që jep Kreu i Shtetit, thuhet se “në tërësinë e tij është një plan financiar antisocial, ka mangësi shqetësuese të transparencës në lidhje me shpenzimet dhe politikat fiskale; paraqet problematikë shumë shqetësuese në lidhje me nivelin e borxhit publik, përdorimit dhe efektit ekonomik të tij; mungon mbështetja reale për sektorët e ekonomisë dhe në mënyrë të veçantë për bujqësinë; mungon mbështetja e nevojshme buxhetore për shtresat në nevojë për kurimin ndaj infeksionit Covid-19, të cilët trajtohen në shtëpi dhe jashtë sistemit spitalor”.
“D e k r e t o j:
Kthimin në Kuvend të ligjit nr. 115/2021 “Për Buxhetin e vitit 2022”, për rishqyrtim sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti.
Nr. Dekretit 13369
Tiranë, më 10.12.2021”.
ARSYET E KTHIMIT
TË LIGJIT NR. 115/2021 “PËR BUXHETIN E VITIT 2022”
Të nderuar deputetë,
Kuvendi i Shqipërisë në seancën plenare të datës 25.11.2020, ka miratuar ligjin nr. 115/2021 “Për buxhetin e vitit 2022”.
Ky ligj me shkresën me nr. 2501/1 prot., datë 01.12.2021 të Kuvendit, protokolluar me tonën nr. 3742 prot, datë 01.12.2021, i është përcjellë Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje.
Ligji, edhe pse para miratimit është shqyrtuar nga Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat në cilësinë e komisionit përgjegjës, dhe është shqyrtuar në parim nga Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut; Komisioni Parlamentar për Integrimin Evropian; Komisioni Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik; Komisioni Parlamentar për Politikën e Jashtme; Komisioni Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin; Komisioni Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë; sërish reflekton mangësi të theksuara në planifikimin dhe alokimin e fondeve buxhetore për vitin 2022, sipas nevojave reale që ka vendi për të adresuar problematikat më emergjente.
Edhe pse në relacionin shoqërues të projektligjit deklarohet se, projektbuxheti 2022 synon konsolidimin e rimëkëmbjes ekonomike të vendit pas dy fatkeqësive natyrore, si tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pandemia e shkaktuar nga COVID-19; apo se synohet të sigurohet një ulje e pandalshme dhe e qëndrueshme e stokut të borxhit publik në periudhën afatmesme 2022-2024, shifrat konkrete që gjejnë pasqyrim në ligjin për Buxhetin 2022, vlerësohen se nuk sigurojnë një përdorim efecient, efektiv dhe ekonomik të burimeve financiare publike, sipas nevojave të vendit.
Ndaj pas shqyrtimit të dokumentacionit, raporteve të komisioneve parlamentare, si dhe vlerësimit të parashikimeve ekonomike të formalizuara përmes ligjit nr. 115/2021 “Për buxhetin e vitit 2022”, dhe paketës fiskale që e shoqëron atë, për problematikat që paraqesin këto akte ligjore, kam vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit për buxhetin 2022, për arsyet kryesore se, ky buxhet
Në tërësinë e tij është një plan financiar antisocial:
Ka mangësi shqetësuese të transparencës në lidhje me shpenzimet dhe politikat fiskale;
Paraqet problematikë shumë shqetësuese në lidhje me nivelin e borxhit publik, përdorimit dhe efektit ekonomik të tij;
Mungon mbështetja reale për sektorët e ekonomisë dhe në mënyrë të veçantë për bujqësinë;
Mungon mbështetja e nevojshme buxhetore për shtresat në nevojë për kurimin ndaj infeksionit Covid-19, të cilët trajtohen në shtëpi dhe jashtë sistemit spitalor.
Në mënyrë më të detajuar, ju paraqes arsyet si më poshtë vijon.
Treguesit krahasues me vendet e rajonit, janë selektivë dhe nuk pasqyrojnë realisht gjendjen ekonomike dhe sociale të Shqipërisë në raport me këto vende.
Në vitin 2020, Shqipëria ka produktivitetin më të ulët krahasuar me vendet e rajonit. Ndërsa borxhi publik për banorë e rendit vendin tonë të tretin pas Malit të Zi dhe Serbisë. Një panoramë më e qartë e këtij treguesi, reflektohet në tabelën e mëposhtme[1].
[1] Burimi: IMF World Economic Outlook, 2021 & World Bank Ëestern Balkans Regular Economic Report: Fall 2021.
- Niveli i varfërisë i matur në përqindje (%) të popullsisë, me të ardhura nën 5.5 $ në ditë për banorë, është më i larti ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.
2.1 Në Shqipëri rreth 33% e popullsisë ka të ardhura nën 5.5 $ në ditë.
2.2 Ndërkohë që për vendet e Ballkanit Perëndimor, të ardhura nën 5.5$ në ditë, kanë:
– në Kosovë 23.4% e popullsisë;
– në Mal të Zi 20%;
– në Maqedoninë e Veriut 18%; dhe
– në Serbi 18.4%.
- Paga minimale në Shqipëri sipas raportit të Fondit Monetar Ndërkombëtar është më e ulta krahasuar me vendet e rajonit.
- Shqipëria vazhdon të ketë një performancë të ulët në mbledhjen e të ardhurave publike.
4.1 Në vitin 2020 Shqipëria mbledh rreth 26.3% të PBB-së.
4.2 Ndërsa vendet e rajonit mbledhin 28.6% të PBB në Maqedoninë e Veriut, 41.3% të PBB në Serbi, 41.6% të PBB në Bosnje Hercegovinë, dhe 43.3% të PBB në Malin e Zi.
4.3 Gjithashtu niveli i shpenzimeve publike është më i ulti nga vendet e rajonit. Shqipëria ka nivelin më të ulët të shpenzimeve publike në rajon. Shqipëria shpenzon 33.2% të PBB, ndërsa vendet e rajonit respektivisht:
– 33.3% Kosova;
– 36.7% Maqedonia e Veriut;
– 45.7% Bosnje Hercegovina;
– 48.6% Serbia; dhe
– 54.3% Mali i Zi.
- Sipas të dhënave të European Asylym Support Office për periudhën Janar 2019 – Gusht 2021, në raport me popullsinë, nga Shqipëria kërkojnë azil:
– 10 herë më shumë krahasuar me Bosnje Hercegovinën;
– 3.6 herë më shumë krahasuar me Kosovën;
– 12.9 herë më shumë krahasuar me Malin e Zi;
– 5.1 herë më shumë krahasuar me Maqedoninë e Veriut; dhe
– 9.1 herë më shumë krahasuar me Serbinë.
5.1 Numri i azilkërkuesve është:
– 29 049 nga Shqipëria;
– 3 007 nga Bosnje Hercegovina;
– 5 073 nga Kosova;
– 487 nga Mali i Zi;
– 4 031 nga Maqedonia e Veriut; dhe
– 7 688 nga Serbia.
Shifrat e mësipërme do të duhet të ishin analizuar me kujdes dhe përgjegjësi në mënyrë që shpërndarja e burimeve, për vitin e ardhshëm buxhetor, të bëhej sipas objektivave strategjikë të qartë, dhe për të garantuar një përdorim ekonomik, efecient dhe efektiv të burimeve publike.
II. Buxheti i vitit 2022 nuk reflekton prioritet për shpenzimet të cilat duhet të mbështesin grupet më në nevojë, përkundrazi reflekton rritje të kostos së borxhit publik, të shpenzimeve operative, të shpenzimeve për koncesionet me mbështetje buxhetore, si dhe një nivel të lartë të investimeve publike.
Në rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, nënvizohet se:
“[…] është e rëndësishme që të ulen shpenzimet jo prioritare përfshi investimet publike tepër ambicioze (me përjashtim ato të tërmetit) të financuara nga burimet e brendshme […] dhe hapësira fiskale e krijuar të sigurojë një rimëkëmbje gjithëpërfshirëse për të siguruar mbështetje për pjesën më në nevojë të shoqërisë, duke pasur parasysh shkallën e lartë të varfërisë në vend”.
Por, përkundër këtij rekomandimi, në buxhetin e vitit 2022, plani i shpenzimeve sipas kategorisë ekonomike nuk reflekton këto prioritete:
- Shpenzimet për pagesat e interesave të borxhit janë rritur nga 43.8 miliard lekë në vitin 2020, në 50.8 miliard lekë në vitin 2022, ose në rreth 16%.
Për interesat e borxhit të brendshëm shpenzimet do të rriten në 12.8%, ndërsa për interesat e borxhit të jashtëm shpenzimet do të rriten 24%.
- Shpenzimet operative dhe mirëmbajtje të qeverisë qendrore ku janë përfshirë dhe pagesat e një pjese të PPP me mbështetje buxhetore, janë rritur nga 48.6 miliard lekë në vitin 2021 në 56.5 miliard lekë në vitin 2022, ose 16.3%.
- Shpenzimet për koncesionet aktive me mbështetje buxhetore do të rriten nga 12.4 miliard lekë në vitin 2021, në 14.7 miliard lekë në vitin 2022 ose një rritje në 11.2%.
- Shpenzimet kapitale të cilat përfshijnë dhe një pjesë të investimeve PPP me mbështetje buxhetore përsëri dhe për vitin 2022 mbetën të lartë në 119.4 miliard lekë ose në 6.4% të PBB.
- Fondi total i koncesioneve i projekteve PPP me ofertë të pakërkuar rritet nga 636.8 miliard lekë në vitin 2021 në 830.9 miliard lekë në vitin 2022 për 6 projekte të reja në vlerën 194.1 miliard lekë, ose një rritje në 30.5%.
- Fondet e papunësisë kanë një rritje të papërfillshme nga 0.8 miliard lekë në 0.9 miliard lekë, ndërkohë që shkalla e papunësisë për personat nga 15 vjeç e lart mund të jetë ulur nga 11.7% në vitin 2020, në 11.6 % në vitin 2021, por që ka qenë e pamundur të ulet nga niveli i papunësisë në 11.5% të vitit 2019.
- Shpenzimet për fondet speciale janë rritur nga 193.8 miliard lekë në vitin 2021, në 212.3 miliard lekë në vitin 2022 ose 9.5%.
- Shpenzimet për rritjen e pagave janë planifikuar në 2.4 miliard lekë ose një rritje për 2.75%.
Në terma realë me një normë inflacioni në 2.8% për vitin 2022, treguesi real i fondi të pagave është me trend negativ me zbritje në – 0.05%.
- Fondet e ndihmës ekonomike dhe e paaftësisë nuk kanë rritje, por përkundrazi ulje. Nga 24.7 miliard lekë në vitin 2021, në 23.55 miliard lekë të planifikuara për vitin 2021.
- Shpenzimet për transfertën e buxhetit vendor janë rritur nga 27.2 miliard lekë në vitin 2021, në 28.0 miliard lekë në vitin 2022 ose 2.9%.
III. Buxheti i vitit 2022 nuk reflekton një politikë të kujdesit social, për të përmirësuar gjendjen sociale në tërësi, si dhe në veçanti të personave në kufijtë e varfërisë.
Gjendja sociale në vitin 2020 dhe në vazhdim në vitin 2021 është përkeqësuar më tej për shkak të rritjes së shpenzimeve familjare për shëndetësinë, rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore dhe jo ushqimore, të uljes reale të të ardhurave, etj.
Sipas INSTAT, shpenzimet familjare për shëndetësinë janë rritur 28% në vitin 2020.
Rritja e çmimeve në Tetor të viti 2021 ka arritur në 2.7% krahasuar me muajin dhjetor të vitit 2020.
Një rritje shumë të lartë kanë patur çmimet e ushqimeve në 4.5% dhe të shërbimeve të transportit në 6.9% krahasuar me muajin dhjetor të vitit 2020.
Ndërkohë që, pritshmëria e rritjes së çmimeve për vitin 2022 do të jetë në një nivel më të lartë se në vitin 2021.
Niveli i papunësisë mbetet i lartë pa mundur të ulet në nivelin e vitit 2019.
Ndërsa niveli i varfërisë është rritur jo vetëm në numër, por edhe ka ardhur në ulje niveli i të ardhurave ditore për person për kategoritë më të prekura.
Në buxhetin e vitit 2022 nuk ka një plan serioz për një reformë gjithëpërfshirëse për të përmirësuar gjendjen sociale të grupeve në nevojë, përkundrejt detyrimeve që ka shteti sipas nenit 59, të Kushtetutës (Objektivat Socialë).
Dhe ky konstatim mbështetet në faktet vijuese:
- Në buxhetin e vitit 2021 dhe në vazhdim për vitin 2022, nuk përfitojnë as indeksim dhe as rritje të pagës reale 71% e punonjësve të administratës qendrore dhe lokale.
- Fondet e ndihmës ekonomike të cilat kanë ulje në buxhetin e vitit 2022, nuk do të mundësojnë daljen nga kufiri i varfërisë të 64 710 familjeve të cilat jetojnë nën 5.5 $ në ditë për person.
- Fondet e papunësisë te cilat kanë një rritje të papërfillshme në buxhetin e vitit 2022, nuk mundësojnë rritjen e nivelit të pagesës së papunësisë.
4. Në buxhetin e vitit 2022, norma e rritjes nominale të pensioneve mbetet e ulët, ndërsa norma e rritjes reale është negative. Me një normë të rritjes nominale në 2.5%, në kushtet e një inflacioni të pritshëm në 2.8% në vitin 2022, niveli real i masës së pensionit do të ulet në -0.3%. Mos indeksimi i plotë i masës se pensioneve me nivelin e çmimeve, do të thellojë nivelin e varfërisë për pensionistët. - Niveli i varfërisë në Shqipëri sipas raporteve të organizmave ndërkombëtare është rritur gjatë pandemisë. Sipas treguesve të vitit 2020 dhe të vitit 2021 për ndihmën ekonomike, shtresat sociale apo rreth 930 457 persona jetojnë me të ardhura nën 5.5 $, si:
5.1 Janë rreth 64 710 familje në vitin 2021 në ndihmë ekonomike me një numër mesatar të familjes në 4 anëtarë apo gjithsej 258 840 persona me ndihmë mesatare mujore në 9826 lekë, me të ardhura për person në 0.7 $ në ditë.
5.2 Janë rreth 440 579 pensionistë në vitin 2020 në zonat urbane me pension mesatar pleqërie në 15732 lekë, me të ardhura në 4.8 $ në ditë (edhe po të shtohen kompensimet në 1264 lekë në muaj, të ardhurat totale llogariten në 5.1$ në ditë).
5.3 Janë rreth 63 099 persona në vitin 2020 me pensionistë invalidë me pension mesatar mujor 14398 lekë, me të ardhura në 4.4 $ në ditë (edhe po të shtohen kompensimet në 1264 lekë në muaj, të ardhurat totale llogariten në 4.8$ në ditë).
5.4 Janë rreth 46 742 persona në vitin 2020 me pension familjar mujor 6 608 lekë, me të ardhura në 2.0 $ në ditë (edhe po të shtohen kompensimet në 1264 lekë në muaj, të ardhurat totale llogariten në 2.4$ në ditë).
5.5 Janë rreth 103 626 pensionistë të zonave rurale në vitin 2020 me pension mesatar mujor 9295 lekë, me të ardhura në 2.8 $ në ditë (edhe po të shtohen kompensimet në 539 lekë në muaj, të ardhurat totale llogariten në 3.0$ në ditë).
5.6 Janë rreth 6 549 pensionistë invalidë në zonat rurale në vitin 2020 me pension 8239 lekë në muaj, me të ardhura 2.5 $ në ditë (edhe po të shtohen kompensimet në 539 lekë në muaj, të ardhurat totale llogariten në 2.7$ në ditë).
5.7 Janë rreth 5 268 pensionistë me pension familjar në zonat rurale në vitin 2020 me pension 2904 lekë në muaj, me të ardhura 0.9 $ në ditë (edhe po të shtohen kompensimet në 539 lekë në muaj, të ardhurat totale llogariten në 1.0$ në ditë).
5.8 Janë rreth 5 755 persona të papunë në vitin 2020 të cilat trajtohen me ndihmë në 15000 lekë në muaj, me të ardhura në 4.5 $ në ditë.
- Shpërndarja e fondeve buxhetore sipas institucioneve buxhetore për vitin 2022 nuk reflekton prioritet për sa i përket buxhetit të arsimit, të shëndetësisë, të përkujdesit social, të bujqësisë, etj..
- Buxheti i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në vitin 2022 tregon një ulje si në vlerë nominale dhe në përqindje të PBB.
Në përqindje të PBB, buxheti ulet nga 0.73% e PBB në vitin 2021 në 0.68% e PBB në vitin 2022.
Mos kujdesi i politikave fiskale ndaj sektorit të bujqësisë ka shkaktuar protesta masive të fermerëve. Ky buxhet i vitit 2022, muk reflekton përpjekje reale për të përmbushur kërkesat për mbështetje të fermerëve shqiptarë.
2. Buxheti i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, rezulton se nuk është prioriteti i qeverisë.
Në përqindje ndaj PBB-së, rritja mbetet e papërfillshme. Nga 2.38% e PBB-së në vitin 2021, buxheti rritet në 2.44% të PBB-së, ose një rritje në 0.06% të PBB-së.
3. Buxheti i Përkujdesit Social në përqindje të PBB ulet nga 1.58% të PBB në vitin 2021 në 1.43% të PBB në vitin 2022.
- Buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, pavarësisht nevojave të mëdha që ka për përballimin e pandemisë ka një rritje minimale në përqindje të PBB.
Nga 4.04 % e PBB në vitin 2021, buxheti rritet në 4.12% e PBB në vitin 2022, ose një rritje për 0.08%.
V. Politika fiskale nuk e ndihmon përmirësimin e klimës së biznesit. Ngarkesa fiskale në raport me fitimin e biznesit është shumë e lartë, ndërsa performanca e mbledhjes së të ardhurave është e ulët. Evazioni dhe shmangiet tatimore vazhdojnë të thellohen si rezultat i diferencimit fiskal, i informalitetit të lartë dhe i përjashtimeve selektive.
Një sistem tatimor më i drejtë, më i thjeshtë, më efikas dhe më transparent është i nevojshëm për të hartuar një strategji të shëndetshme afatmesme të ardhurash, e cila do të zgjerojë bazën tatimore dhe do të eliminoje mundësitë për shmangie.
Në buxhetin e vitit 2022 dhe parashikimet deri në vitin 2024, nuk reflektohet një përmirësim i performancës së mbledhjes së të ardhurave, për sa kohë që nuk tregojnë një zgjerim të bazës tatimore dhe eliminimit të plotë të shmangieve.
– Sipas raportit të Doing Business 2020, Shqipëria renditet në vendin e 123-të në lehtësinë e të bërit biznes në rang global dhe niveli më i ulët në rajon mbas Bosnje Hercegovinës.
Shqipëria ka barrën tatimore ndaj biznesit më të lartë në rajon kundrejt një performance më të ulët të mbledhjes së të ardhurave tatimore, dhe në veçanti të kontributeve shoqërore dhe shëndetësore.
Ngarkesa tatimore në përqindje të fitimit të biznesit është më e larta nga vendet e rajonit, respektivisht 36.6% e njëjtë me Serbinë, por shumë herë më e lartë se Maqedonia e Veriut në 13%, Kosova në 15.2%, Mali i Zi në 22.2%, dhe Bosnje Hercegovina në 23.7%.
Ndërsa të ardhurat tatimore dhe të kontributeve të mbledhura janë më të ultat:
– Shqipëria mbledh rreth 18.6% të PBB të ardhura tatimore; ndërkohë që
– Mali i Zi, Serbia, Kosova, dhe Bosnje Hercegovina mbledhin respektivisht 26.6%, 25.4%, 24.5% dhe 22.7%.
– Shqipëria ka performancën më të ulët të mbledhjes së të ardhurave nga sigurimet shoqërore në 5.8% të PBB-së, ndërkohë qe Maqedonia e Veriut mbledh 8.8% të PBB, Serbia 12.6% të PBB, Bosnje Hercegovina 15.2% të PBB, dhe Mali i Zi 9.8% të PBB.
Kjo pasqyrohet në tabelën e mëposhtme :
– Një tregues i lartë i informalitetit është numri i kontribuuesve të sigurimeve shoqërore në raport me numrin e të punësuarve gjithsej.
Numri i punonjësve që nuk kontribuojnë në skemën e kontributeve shoqërore jo vetëm që është i lartë në mbi 38% të totalit të punësuarve në vitin 2020, por është përkeqësuar në vitin 2020 krahasuar me vitin 2019 dhe 2018.
Gjithashtu sipas FMN ka përqindjen më të lartë të punonjësve në 30.3% të forcës aktive të punës. Këto shifra pasqyrohen qartë në tabelën si më poshtë :
– Politika fiskale e këtyre viteve ka treguar se si vendosjet apo heqjet e përjashtimeve vazhdojnë të mbeten selektive, dhe në disa raste me natyrë të theksuar klienteliste për të mbështetur një kategori të caktuar të biznesit. Mjafton të përmendim:
- Në ligjin mbi “Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, me heqjen apo diferencimin e përjashtimeve të normave të TVSH-së, është shkelur parimi i barazisë së barrës fiskale ndërmjet sektorëve të ekonomisë, sepse është parë me proritet heqja e përjashtimeve për sektorin e bujqësisë dhe të investimeve kundrejt lënies së përjashtimeve për sektorin e turizmit dhe argëtimeve, sporteve, etj.
– Për sektorin e bujqësisë është hequr kompensimi për prodhuesit bujqësor, si dhe është vendosur shkalla e reduktuar prej 10 për qind (%) të furnizimit me inputet bujqësore.
– Gjithashtu është rritur niveli i përjashtimin nga TVSH-ja për importimin e makinerive dhe pajisjeve në funksion të realizimit të kontratave të investimeve me vlerë të barabartë nga 50 milion aktualisht në 500 milionë lekë;
– Por ndërkohë nuk është hequr përjashtimi nga TVSH për mjetet lundruese për qëllime turistike dhe argëtim, apo heqja e shkallës së reduktuar për aktivitete dhe sektorë të tjerë.
- Në ligjin mbi “Taksat Kombëtare” diferencimi vazhdon për mjetet lundruese për qëllime turistike, apo produkteve nga qumështi pluhur për prodhuesit e agroindustrisë, si:
– Vendosja e taksës për furnizimin me karburant të mjeteve lundruese në zonat e lira doganore ka si qëllim dhe shmangien e abuzimeve dhe përfitimeve të padrejta nga mjetet lundruese për qëllime turistike dhe argëtimi, të cilat furnizohen me karburant në zonat e lira doganore dhe magazinat doganore. Vendosja e taksës e propozuar në 65 lekë/litër në vetvete ishte një diferencim nga ajo e karburantit që importohet në kushte normale në 90 lekë/litër. Ky diferencim është thelluar më shumë me miratimin përfundimtar të kësaj takse në nivelin e 40 lekë/litër.
– Vendosja e taksës për importimin ose prodhimin e qumështit pluhur, hirra e qumështit dhe kremi i qumështit, përsëri mbetet e diferencuar. Kur produktet e
mësipërme të importuara përdoren në agroindustri, përjashtohen nga kjo taksë. Ndërsa për prodhues të tjerë jo të produkteve të bulmetit apo për konsum, vendoset taksa në import.
– Më problematik mbetet fakti se përjashtimi i agroindustrisë nga kjo taksë që është realisht sektori që përdor pothuajse këtë produkt, nuk përputhet me synimin e projektligjit të përgatitur si pjesë e paketës fiskale të miratuar bashkë me këtë ligj, për të incentivuar rritjen e prodhimit në vend të qumështit, me qëllim mbështetjen e fermerëve vendas. Kjo duke marrë në konsideratë dhe faktin se, sektori i qumështit konsiderohet si sektor me përparësi.
- Në ligjin “Tatimi Mbi të Ardhurat” nuk adresohet diferencimi tatimor aktual ndërmjet të punësuarve dhe personave të vetëpunësuar.
– Personat e punësuar tatohen duke filluar nga kufiri mbi 30 000 lekë në muaj ose 360 000 lekë në vit me normë tatimore 13%, dhe në vazhdim me normë tatimore mbi 23% për paga mbi 200 000 lekë në muaj ose 2 400 000 lekë në vit, ndërsa personat e vetëpunësuar deri në 14 000 000 lekë në vit tatohen me normën tatimore 0%.
– Mos adresimi i diferencimit fiskal ka thelluar më tej pabarazinë ndërmjet të punësuarve dhe personave të vetëpunësuar. Kjo ka prodhuar efekte negative jo vetëm për shkak të pabarazisë fiskale, por dhe ka dobësuar ndjeshëm sistemin e tatimit mbi të ardhurat personale, ka shkaktuar prishje të konkurrencës, shtim të deformimit të tregut dhe rritje të evazionit fiskal dhe të korrupsionit.
– Dokumenti i buxhetit nuk ka paraqitur ndryshime të domosdoshme në ligjin për Procedurat Tatimore për procesin e fiskalizimit të kërkuar nga përfaqësuesit e biznesit.
Përfaqësuesit e shoqatave të biznesit kanë kërkuar nevojën e ndryshimit të këtij ligji lidhur me afatin e aplikimit të gjobave për procesin e fiskalizimit, problematikat në zbatim të ligjit si mos pajisja me certifikatë elektronike, hyrja në proces e një pjese më të madhe të tatim paguesve që kanë detyrim për të lëshuar fatura, zgjidhjen e problematikave nga përdorimi i platformës, si dhe përshtatjen ndërkohë të bazës ligjore aktuale të tatimit mbi vlerën e shtuar, të cilat ndikojnë në zbatimin korrekt të ligjit për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit.
Duke analizuar treguesit e vitit 2021, të buxhetit 2022 dhe parashikimeve në vitet 2023 dhe 2024, vihet në pikëpyetje objektivi i Strategjisë Afatmesme të Mbledhjes për përmirësimin e të ardhurave.
Në realitet nuk ka rritje të të ardhurave reale në vitin 2022 krahasuar me vitin 2021, përkundrazi ka ulje, dhe performanca e mbledhjes së të ardhurave parashikohet të përkeqësohet në vazhdim.
Të ardhurat tatimore, përfshitë dhe kontributet shoqërore, parashikohen për vitin 2022 të arrijnë në 26.8%, nivel i cili është më i ulët se pritshmëria e realizimit të tyre në vitin 2021.
Në tre vitet e parashikimit deri në vitin 2024, niveli i tyre në përqindje të Prodhimit të Brendshëm Bruto mbetet më i ulët se niveli i vitit 2021.
Kjo natyrshëm që do ta thellojë më tej hendekun e performancës së mbledhjes së të ardhurave krahasuar me vendet e rajonit.
VI. Dokumenti i buxhetit i vitit 2022 nuk ka transparencë për vlerësimin e detyrimeve të prapambetura si dhe një plan për shlyerjen e tyre. Vlerësimi i detyrimeve të prapambetura të qeverisë së përgjithshme dhe detyrimet e nënhuasë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë janë shumë më të ulta krahasuar me raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
- Sipas Raportit të KLSH-së, detyrimet e qeverisë së përgjithshme deri në fund të vitit 2020, janë 12.4 miliard lekë dhe të rimbursimit të TVSH-së në 11.8 miliard lekë.
- Në relacionin shpjegues të ligjit për Buxhetin 2022, mungojnë detyrimet që rrjedhin nga vendimet e Gjykatës Europiane dhe Gjykatës së Arbitrazhit. Detyrimet e papaguara nga Gjykata Europiane janë në 18 milion Euro dhe 1.7 milion Euro interesat dhe kamatë vonesat. Gjithashtu, detyrimet për 5 vendime të marra nga Gjykata e Arbitrazhit vlerësohen në masën 385.5 milion Euro. Ndërsa 5 çështje të tjera janë në proces.
- Raporti i KLSH-së për zbatimin e buxhetit të vitit 2020 ka konstatuar përkeqësimin e situatës financiare të sektorit të energjisë, kryesisht me nënhuatë e KESH, OSHE, OST në rreth 46.8 milion Euro. Detyrimet e nënhuasë në sektorin e ujësjellësve shkojnë në 6.2 milion Euro, dhe të pushtetit vendor në 9.5 milion Euro.
- Detyrimet e qeverisë së përgjithshme deri në fund të vitit 2020, përfshi dhe nënhuatë, vlerësohen në rreth 3.4% të PBB.
VII. Vlera e projekteve PPP si me mbështetje buxhetore, por dhe me ofertë të pa kërkuar, vazhdon të rritet në buxhetin e vitit 2022. Me rritjen e vlerës dhe numrit të projekteve PPP, janë rritur edhe më shumë risqet fiskale. - Institucionet ndërkombëtare kanë tërhequr vëmendjen e rritjes së shpejtë të stokut të projekteve PPP me mbështetje buxhetore si dhe të atyre me ofertë të pakërkuar. Kjo kërkon përpjekje të dyfishuara për të forcuar menaxhimin e investimeve publike. Informacioni i kufizuar dhe mungesa e transparencës mbi ekspozimin e vërtetë të qeverisë ndaj PPP-ve është një sfidë kryesore. Gjithashtu analiza e dobët kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP mbeten shqetësime të vazhdueshme.
- Vetëm për projektet PPP me mbështetje buxhetore buxheti i vitit 2022 planifikon rritjen e tyre në 11.5%, ose nga 12.4 miliard lekë në vitin 2021 në 13.8 miliard lekë në vitin 2022 dhe në 16.0 miliard lekë në vitin 2024.
Kosto buxhetore e inceneratorëve rritet nga 2.0 miliard lekë në vitin 2021 në 2.3 miliard lekë në vitin 2022.
- Projektet PPP me ofertë të pakërkuar po përdoren për të anashkaluar tavanet buxhetore afatmesme.
Vlera totale e kontratave PPP me ofertë të pakërkuar në vitin 2022, arrin në 830.9 miliard lekë ose 44.5% e PBB.
Vetëm për vitin 2022, totali i kontratave PPP me ofertë të pakërkuar është zgjeruar në 194.2 miliard lekë ose një rritje në 30.5%.
VIII. Objektivi kryesor i politikës fiskale duhet të jetë kthimi i raportit të borxhit ndaj PBB-së në një rrugë rënëse. Politika fiskale jo vetëm që nuk garanton realizimin e objektivit kryesor të politikës fiskale për një rikthim të raportit të borxhit ndaj PBB poshtë nivelit 45%, apo dhe në nivelin e vitit 2020, por përkundrazi mungesa e transparencës për sa i përket vlerësimit real të stokut dhe risqeve të reja të rritjes së borxhit do të vënë në rrezik qëndrueshmërinë e financave publike dhe përkeqësimin e treguesve makroekonomikë të vendit.
Sipas rekomandimeve të FMN, një plan i besueshëm afatmesëm rregullimi duhet të zbatohet duke filluar nga viti 2022. Kjo do të kërkojë përcaktimin e masave për të zvogëluar deficitin primar në rreth 2 për qind (%) të PBB-së në vitin 2022, si dhe të arrijë në mënyrë të qëndrueshme një balancë primare pozitive prej rreth 1.5 për qind të PBB-së në vitin 2024.
Nisur nga treguesit e buxhetit të vitit 2022, dhe parashikimet për vitin 2023 e 2024, rezulton se:
- Bilanci primar nuk parashikohet të jetë rreth 2% të PBB në vitin 2022, dhe as të jetë pozitiv në 1.5% të PBB e vitin 2024 sipas rekomandimeve të FMN.
- Themeli i një rregullimi të tillë fiskal të besueshëm duhet të jetë Strategjia Afatmesme e të Ardhurave, për të zgjeruar bazën tatimore dhe tek eliminimi i shmangieve. Treguesit e të ardhurave totale dhe në veçanti i të ardhurave tatimore nuk tregojnë një rritje të tyre, përkundrazi një përkeqësim në raport me rezultatin e vitit 2021.
- Ligji i buxhetit për vitin 2022 duhet të pasqyronte nivelin real të borxhit të vitit 2021, si dhe një vlerësim i të gjitha risqeve potenciale të rritjes, dhe mbi këtë bazë marrjen e masave për uljen e tij.
- Niveli i borxhit dhe sipas parashikimit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, deri në vitin 2024 do të mbetet i lartë dhe nuk do të arrijë të ulet në kufijtë e vitit 2020 në 75.7% të PBB.
IX. Shqetësim mbetet jo vetëm niveli i lartë i borxhit dhe nevoja emergjente për uljen e tij, por edhe raportimi jo real i nivelit të borxhit, përkeqësimin e treguesve kryesorë të borxhit, vlerësimi i borxhit ndaj risqeve potenciale të shtuara, si dhe produktiviteti i borxhit. - Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në relacionin e projektligjit, raporton që stoku i borxhit është 80% e PBB për vitin 2021, ndërsa FMN e vlerëson ne 80.6% të PBB-së.
Në këtë nivel të stokut që raporton Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka një mungesë transparence për arsye se nuk janë përfshirë detyrimet reale të qeverisë së përgjithshme deri në fund të vitit 2020.
- Kontrolli i Lartë i Shtetit vlerëson se stoku i borxhit publik i raportuar për vitin 2020, paraqitet i nënvlerësuar bazuar në respektimin e kërkesave ligjore për raportimin e detyrimeve të prapambetura.
Llogaritja e stokut të borxhit duhet të jetë transparent dhe të përfshihen në të,
– detyrimet e prapambetura të qeverisë së përgjithshme dhe rimbursimi i TVSH-së në rreth 24.2 miliard lekë;
– vendimet e gjykatave ndërkombëtare në rreth 405.2 milion euro ose 49.24 miliard lekë; si dhe
– detyrimet e nënhuasë në 62.5 milion euro ose 7.6 miliard lekë.
Vlera reale e borxhit publik në fund të vitit 2021 mund të llogaritet në 84.0% e PBB-së.
- Një vlerësim transparent i borxhit potencial duhet të konsideronte të gjitha risqet që mund të lindin nga çështjet në shqyrtim në gjykatat ndërkombëtare; detyrimet e reja shtesë që mund të krijohen të qeverisë së përgjithshme si dhe te nënhuasë; riskun në rritje të portofolit të PPP-ve me mbështetje buxhetore ose me ofertë të pakërkuar; risku i garancive shtetërore; rreziku i luhatjes së kursit të këmbimit; risku i normave të interesit, risku i zgjatjes së situatës pandemike, risku i rritjes se çmimeve të karburanteve dhe energjisë elektrike si dhe efektet e pritshme mbi ekonominë.
- Treguesit e borxhit si, borxhi publik për banorë, kosto e shërbimit të borxhit, shpenzimet për interesat e borxhit, raporti i borxhit publik ndaj të ardhurave tatimore dhe raporti i borxhit
kundrejt eksporteve krahasuar me vendet e rajonit, janë përkeqësuar, dhe për këtë sillen në vëmendje këto shifra:
– Ndërsa në vitin 2013 borxhi publik për banorë ka qenë në nivelin e rreth 2 892 $, në vitin 2020 llogaritet në 4 014 $.
– Shërbimi i borxhit është rritur nga 4.16% e PBB në vitin 2013 në 6.11% e PBB në vitin 2020.
– Shpenzimet për pagesat e interesave të borxhit publik, janë rritur nga 2.1% të PBB në vitin 2019, në 2.7% të planifikuara për vitin 2022, në 2.9% e PBB në vitin 2023 dhe në dhe 3.1% të PBB e parashikuar në vitin 2024.
– Raporti i borxhit publik kundrejt të ardhurave totale i llogaritur për vitin 2020 është rreth:
(i) 2.96 për Shqipërinë;
(ii) 0.88 për Bosnje Hercegovinën;
(iii) 0.94 për Kosovën;
(iv) 1.43 për Serbinë;
(v) 1.79 për Maqedoninë e Veriut; dhe
(vi) 2.47 për Malin e Zi.
– Raporti i borxhit publik kundrejt eksporteve të mallrave, i llogaritur për vitin 2020, është:
(i) 12.8 për Shqipërinë;
(ii) 1.1 për Maqedoninë e Veriut;
(iii) 1.3 për Bosnje Hercegovinën;
(iv) 1.7 për Serbinë;
(v) 3.5 për Kosovën; dhe
(vi) 10.9 për Malin e Zi.
- Një strategji rigoroze e administrimit të borxhit është e nevojshme për të arritur një ulje graduale të borxhit publik. Ulja e borxhit do të kërkonte rritje të lartë ekonomike dhe të të ardhurave publike, mos miratimin e PPP-ve të reja me mbështetje buxhetore ose me ofertë të pakërkuar, si dhe mos krijimin e detyrimeve të tjera të papaguara të institucioneve qendrore dhe vendore. Gjithashtu do te kërkonte përmirësimin e treguesve financiarë të ndërmarrjeve publike dhe në veçanti të sektorit energjetik, si dhe masa të tjera për të përmirësuar treguesit e performancës qeverisëse.
- Në periudhën 2000 – 2021, produktiviteti i borxhit i vlerësuar si raport i zgjerimit të Produktit të Brendshëm Bruto kundrejt zgjerimit të stokut të borxhit është përkeqësuar.
Qeveria nuk bën transparente efektivitetin e përdorimit të borxhit dhe ndikimin në rritjen ekonomike.
Në periudhën 2000-2005, për çdo 100 lekë të marrë borxh, prodhimi është zgjeruar në 193 lekë, në periudhën 2013-2005 për çdo 100 lekë të marrë borxh, prodhimi është zgjeruar në 128 lekë, ndërsa në periudhën 2021-2013 për çdo 100 lekë të marrë borxh, prodhimi është zgjeruar në 84 lekë.
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,
Për gjithçka u argumentua më sipër, vërehet dukshëm se buxheti i vitit 2022 jo vetëm nuk ka pasqyruar realisht situatën ekonomike në vend nëpërmjet parashikimeve të kryera, por nuk përmbush pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë dhe detyrimin që qeveria ka për t`u kujdesuar e trajtuar nevojat reale të tyre, duke rënë ndesh me parimet dhe vlerat që mbron Kushtetuta, kryesisht të parashikuara në nenet 11 dhe 59, të saj.
Konkretisht:
Neni 11 i Kushtetutës parashikon se:
1. Sistemi ekonomik i Republikës së Shqipërisë bazohet në pronën private e publike, si dhe në ekonominë e tregut dhe në lirinë e veprimtarisë ekonomike.
Neni 59 i Kushtetutës parashikon se:
1. Shteti, brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon:
a) punësimin në kushte të përshtatshme të të gjithë personave të aftë për punë;
b) plotësimin e nevojave të shtetasve për strehim;
c) standardin më të lartë shëndetësor, fizik e mendor, të mundshëm;
ç) arsimimin dhe kualifikimin sipas aftësive të fëmijëve dhe të të rinjve, si dhe të personave të pazënë me punë;
d) një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm;
dh) shfrytëzimin racional të pyjeve, ujërave, kullotave dhe burimeve të tjera natyrore mbi bazën e parimit të zhvillimit të qëndrueshëm;
e) përkujdesjen dhe ndihmën për të moshuarit, jetimët dhe invalidët;
ë) zhvillimin e sportit dhe të veprimtarive ripërtëritëse;
f) riaftësimin shëndetësor, edukimin e specializuar dhe integrimin në shoqëri të të paaftëve, si dhe përmirësimin në vazhdimësi të kushteve të tyre të jetesës;
g) mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare, kulturore dhe kujdesin e veçantë për gjuhën shqipe.
2. Përmbushja e objektivave socialë nuk mund të kërkohet drejtpërdrejt në gjykatë. Ligji përcakton kushtet dhe masën në të cilat mund të kërkohet realizimi i këtyre objektivave.
Sa më sipër, është detyrë e ligjvënësit, që në çdo ligj që miraton, të kujdeset që të respektohen këto kërkesa dhe parime të sanksionuara në Kushtetutë. Veçanërisht kjo është e domosdoshme kur bëhet fjalë për miratimin e ligjit buxhetor, që përcakton shpërndarjen direkte të të ardhurave publike përgjatë një viti.
Alokimi i fondeve buxhetore, por mbi të gjitha dhe mënyra se si analizohen dhe orientohen politikat ekonomike dhe fiskale, lidhet drejtpërsëdrejti edhe me mundësimin e respektimit të parimeve të mbrojtura nga Kushtetuta e vendit.
Për më tepër, rritja e shpejtë e borxhit dhe perspektiva shumë e rrezikuar kërkon vendosjen e një kufiri ligjor të tij, ndërkohë që përmes ndryshimeve të fundit që realizuan në ligjin nr. 9936, datë 26.6.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, Qeveria dhe Kuvendi, kanë hequr çdo pengesë ligjore për t’i hapur rrugë rritjes pa kufi të borxhit, duke i vendosur financat e vendit në një pozitë të pambrojtur, ku është i pritshëm përkeqësimi i parametrave makroekonomikë të të gjithë sistemit buxhetor, me pasojë cenimin e interesit publik të përgjithshëm.
Këto gjetje kaq shqetësuese duhet të përballen me transparencë dhe debat të hapur e gjithëpërshirës, sepse vetëm në këtë mënyrë lufta antikorrupsion bëhet efektive dhe e vërtetë.
Ndaj në bindje të Kushtetutës dhe në zbatim të nenit 85, pika 1 të saj, kam vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 115/2021 “Për buxhetin e vitit 2022”, pasi parashikimi i kryer nga Qeveria dhe i miratuar nga ligjvënësi është i cekët dhe nuk i përgjigjet nevojave, pritshmërive dhe as kërkesave reale të shoqërisë dhe nuk ka në fokus as forcimin e ekonomisë, mbështetjen e biznesit dhe mirëqënien e qytetarëve.
Si President i Republikës, i bëj thirrje Kuvendit të Shqipërisë, që të vlerësojë me përgjegjshmëri në respekt të interesit të gjerë publik dhe të shqetësimeve të mëdha të qytetarëve dhe të rishikojë Buxhetin e vitit 2022, sipas gjetjeve dhe problematikave të konstatuara në këtë arsyetim.
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
Ilir META