Zëdhënësi i Presidentit Tedi Blushi thotë se Lulzim Basha, me porosi të padronit u përpoq të provokojë Presidentin me idenë për të shfajësuar vetveten nga të gjitha greminat drejt të cilave e çoi opozitën nga 17 maj 2017 deri më 25 prill 2021.
Sipas Presidencës, Basha është kontribuesi kryesor i Rilindjes, me katërkëndëshin e përgjegjësive të tij madhore; siç janë: Bojkoti i reformës administrative-territoriale; bojkoti i reformës në drejtësi; djegia e mandateve të deputetëve dhe zerimi i opozitës në pushtetin vendor.
“Hipokriti, që gjoja do përmbyste me dhunë regjimin në mitingun e 8 qershorit 2019, iu lut në gjunjë dhe me lot në sy Presidentit Meta, në Gjermani, për t’i anuluar zgjedhjet vendore se nuk i kontrollonte dot më njerëzit dhe se mund të kishte gjakderdhje.
Por Hipokriti, që paska qenë në krah të Presidentit të Republikës, as nuk denjoi të regjistrojë PD në KQZ për zgjedhjet e 13 tetorit 2019, sepse kështu i interesonte Rilindjes, për t’i thënë botës, që Presidenti ia fut kot se PD nuk do zgjedhje. Kryetari, kukull ka qenë, është dhe do të mbetet i tillë, deri në fund, dhe asnjë spërdredhje, pazar apo mashtrim nuk ja ndryshon dot fundin e paracaktuar si çdo kukulle në politikë”, shkruan ai.
Ky reagim i Presidentit, vjen pas një interviste të dhënë nga kreu i demokratëve për Zërin e Amerikës, i cili tha se në trekëndëshin e Bermudës nuk ka qenë i përfshirë institucioni i Presidentit të Republikës, por personi Ilir Meta.