Aplikimi i një norme më të lartë të rritjes vjetore të akcizës sesa rritja historike është thelbësore për arritjen e objektivave politike, përkatësisht për rritjen e të ardhurave tatimore, uljen e numrit të vdekjeve të parakohshme dhe sëmundjeve të lidhura me duhanin dhe shpenzimeve mjekësore për të trajtuar ato.
Ky është konkluzioni i studimit “Ndikimi i taksimit në konsumin e cigareve, të ardhurat nga taksat dhe vdekjet e parakohshme në Shqipëri”, publikuar nga “Development Solutions Associates” dhe “Tobaccotaxation”, ndërsa simulimi u krye nga “Qendra Partnerë në Zgjidhje dhe Zhvillim”.
Nivelet e akcizës së duhanit në Shqipëri janë më të ulëtat krahasuar me ato të vendeve të tjera të Europës Juglindore. Shqipëria, ashtu si vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, është në proces integrimi në Bashkimin Europian (BE). Për të përmbushur objektivin e BE-së, vendit do t’i duhet pothuajse të dyfishojë normën aktuale të akcizës për të arritur minimumin e kërkuar prej 90 euro për 1,000 cigare.
Studimi përdor të dhëna në nivel familjeje për Shqipërinë dhe shtjellon dy skenarë të rritjes së taksave për të përmbushur kërkesat e BE-së:
Skenari i parë: skenari “i vazhdimësisë” bazohet në kalendarin e rritjes vjetore të akcizës në vitet e fundit në Shqipëri (4 për qind). Në këtë skenar, Shqipëria do të arrijë të përmbushë kërkesat e BE-së për nivelin e akcizës specifike brenda vitit 2035.
Skenari i dytë: sipas udhëzimeve të Bankës Botërore (2018) , ky skenar është një plan me rritje më të shpejtë akcize prej 8 për qind nga viti 2022 në vitin 2024 i ndjekur nga 5 për qind rritje në periudhën 2025-2030. Në këtë skenar, Shqipëria do të arrijë të përmbushë kërkesat e BE-së për vlerën e akcizës në 10 vite (2030).
Rezultatet nga skenari i parë “i vazhdimësisë”, parashikojnë një nivel të qëndrueshëm konsumi, ndërkohë që normat më të larta të akcizës në skenarin e dytë pritet që të sjellin ulje të ndjeshme të konsumit të cigareve (Figura 1).
Për sa i përket ndikimit në buxhet, skenari i dytë pritet që të gjenerojë të ardhura më të larta, pasi rritja e të ardhurave nga akciza më e lartë tejkalon efektin që rezulton nga ulja e konsumit. Më specifikisht, gjatë periudhës 2022-2030 në skenarin e dytë pritet që të mblidhen 77 Milion Euro ose 5 për qind më shumë të ardhura nga taksat sesa në skenarin e parë (Figura 2).
Ndikimet në vdekjet e parakohshme ndryshojnë në mënyrë drastike mes skenarëve. Numri i vdekjeve të parakohshme sipas skenarit të dytë pritet që të ulet me rreth 19 mijë gjatë periudhës 2020 -2030 (për shkak të atyre që heqin dorë nga duhanpirja) ose 33 mijë vdekje më pak në krahasim me skenarin e parë (sipas të cilit pritet që të vdesin parakohe rreth 15 mijë duhanpirës të tjerë (Figura 3)).
Për më tepër, rritja e akcizës në skenarin e dytë ka një efekt pro të varfërve, pasi 50% e vdekjeve të parandaluara nga rritja e akcizës janë pjesë e grupit të duhanpirësve me të ardhura më të ulëta, gjë që nënkupton kosto më të ulëta shëndetësore për shqiptarët me të ardhura më të ulëta, të cilët kanë më shumë gjasa të vuajnë më shumë nga kostot shëndetësore që lidhen me trajtimet e sëmundjeve që shkaktohen nga duhani.
Studimi rekomandon që një normë më e lartë rritje e akcizës mundëson një harmonizim më të shpejtë me kërkesat e BE-së që theksohen në kapitullin 16 të Acquis për taksimin.
Bazuar në këto gjetje, Ministria e Ekonomisë dhe Financave mund të ndikojë në uljen e numrit të vdekjeve prej konsumit të duhanit dhe të rrisë më shumë të ardhurat tatimore duke zbatuar një plan shumëvjeçar të bazuar në një rritje më të shpejtë akcize (rritje vjetore prej 8 për qind për 3 vitet e para (2022-2024) dhe 5 për qind për vitet e mbetura (2025-2030)). Megjithëse normat e rritjes së akcizës (që korrespondojnë me skenarin e dytë) janë më të larta sesa ato të parashikuara në kalendarin aktual të akcizës, ato janë ende relativisht modeste kur krahasohen me standardet ndërkombëtare.
Shqiptarët pinë duhan më shumë se mesatarja botërore
Prevalenca e duhanpirjes në Shqipëri është e lartë: një në katër të rritur janë duhanpirës. Shifrat e fundit të disponueshme nga Anketa për Konsumin e Duhanit në Vendet e Evropës Juglindore (STC-SEE) në 2019, tregojnë se mbi 42 përqind e burrave dhe 7 për qind e grave në Shqipëri konsumojnë duhan.
Megjithëse vitet e fundit, prevalenca ka rënë, ajo mbetet shumë më e lartë se mesatarja botërore. Kjo prevalencë e lartë e duhanpirjes rezulton në kosto të larta ekonomike dhe shëndetësore për popullsinë shqiptare.
Sipas studimit, Rritja e akcizës pritet të përmirësojë shëndetin e të shmangë vdekjet e parakohshme nga njëra anë, si edhe të shtojë të ardhura në buxhetin e shtetit nga ana tjetër.
Të ardhurat nga taksat e duhanit përbëjnë mesatarisht 13 për qind të totalit të të ardhurave doganore.
Revista Monitor