Familjet shqiptare po përballen tashmë prej muajsh me rritje të çmimeve, kryesisht të artikujve ushqimorë, për të cilat shpenzojnë edhe pjesën dërrmuese të buxheteve të tyre mujore. Një rritje që vjen nga ecuria e tregjeve ndërkombëtare dhe që reflektohet tek mallrat e importit.
Ekspertja për bujqësinë, Valbona Paluka, e ftuar në A2 Business me gazetaren Aurora Sulçe u shpreh se një strategji për të shmangur dhe për të qenë të përgatitur për rritjen e çmimeve është fokusimi te prodhimet vendase.
Sipas saj, sot situata në bujqësinë shqiptare është ndryshe nga vite më parë dhe importet e shumë produkteve janë ulur.
“Mendoj që rritja e çmimeve në Shqipëri për produktet ushqimore shkon në të njëjtin ritëm që ndjekin dhe vendet e rajonit dhe gjithë botën. Faktorët janë të ndryshëm, por ekonomia dhe gjendja e shqiptarëve bën që të ndjehet më shumë për ne. Unë mendoj që një nga mënyrat që në një strategji afatshkurtër për të qenë të përgatitur për rritjen e çmimeve do të ishte rritja e prodhimeve në vend. Shumë vende rrisin prodhimin vendas dhe bëhen më pak të ndjeshëm ndaj rritjes së çmimeve në kuadër global. Nuk jemi në situatën e disa viteve më parë, ku kishim import më të madh. Dhe po të shohim bujqësinë, një pjesë e madhe e produkteve prodhohen në sera dhe në fushë të hapur”, u shpreh Paluka./A2