Zv.drejtori i Përgjithshëm në Policinë e Shtetit Albert Dervishaj ka folur sot rreth grabitjes misterioze të biznesmenit Nazmi Çangu, në Nikël të Fushë-Krujës.
Ai e vlerësoi këtë si një ngjarje të rëndë dhe tronditëse jo vetëm për opinionin publik.
Gjithashtu Dervishaj u shpreh me vendosmëri se shumë shpejt pritet që autorët që sipas tij ishin disa të përfshirë, do të identifikohen dhe do të dalin para drejtësisë.
“Deri tani është një krim për të cilin po punohet nga Policia e Shtetit për ta zbuluar dhe për t’i dhënë përgjigje të merituar autorëve, po ashtu edhe opinionit publik. Në punën e përditshme policia ballafaqohet me krime të rënda, të lehta, me autorë dhe pa autorë. Kjo nuk është eksperiencë e tanishme. Ky është një krim i rëndë, por nga strukturat policore punohet për zbulimin dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve. Mund të them se kemi mbi 5 mijë kapjen në flagrantë. Po kështu për këtë 9 mujor rreth 88.2% ngjarje janë zbuluar, ka edhe ngjarje për të cilat policia punon për t’i identifikuar. Për këtë vit na duhet të punojmë me këtë 10% krimesh me intensitet të lartë për të siguruar dëshmi që në raste të caktuara janë edhe të vështira për tu caktuar.”
I pyetur nëse ngjarja mund të ishte parandaluar, ai tha se kjo ngjarje nuk njihej, dhe kjo ka sjellë edhe vështirësinë e ndërhyrjes së mëparshme për ta parandaluar.
“Ngjarja e Niklës nuk është një ngjarje që njihej dhe ku mund të ishin marrë masa shtesë parandaluese, por them me kompetencë që po punohet në mënyrë intensive dhe them që brenda një kohë shumë të shkurtër do të dëgjoni zbulimin dhe vënien para drejtësisë të disa autorëve”, tha më tej ai.
Kujtojmë në dëshminë e tij biznesmeni Çangu tregoi dhunën e ushtruan nga grabitësit, ndërsa rrëfeu se i kishin prerë edhe një gisht pasi i kërkonin çelësin e kasafortës.