Publikohet momenti ku punonjësja e shtetit norvegjez largon me forcë dy vajzat e vogla të çiftit Alitcia Forsberg dhe Armend Caushi. Çifti shqiptaro-norvegjez denoncuan para pak ditësh se shteti iu kishte marrë katër fëmijët e tyre dhe se nuk dinin ku ndodheshin, por vetëm komunikonin me ta nëpërmjet internetit.
Gazetarja e emisionit, Bora Shahini ka siguruar videon e momentit kur dy vajzat e vogla merren nga nëna me forcë teksa shihen duke qarë. “Jo, jo nuk dua të vij, dua të shkoj te mami”, dëgjohet duke thënë vajza e madhe. Në një tjetër video, shfaqet vajza e madhe Alice teksa shprehet se dëshiron kthimin në shtëpi. Ndërkaq, në videon tjetër shihet djali Elioni teksa tregon fotot e familjarëve të tij në vendin ku ndodhet.
Gjatë intervistës që dhanë për Abc pak ditë më parë, babai i fëmijëve tregoi se: “Të katër fëmijët e mëdhenj janë me nënshtetësi suedeze dhe kosovare. Kam menduar me marr një avokat me ndërmjetësuar me shtetin norvegjez. Suedia na ka thënë që nëse fëmija ka lind në Norvegji dhe vetëm në letër e ka Suedi, i takon Norvegjisë vendimi”.