Një grua është vrarë dhe një burrë është plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri në xhirimet e filmit “Rust”, një film western me Alec Baldwin në prodhim në New Mexico, Shtetet e Bashkuara. Lajmin e ka njoftuar policia lokale, sipas së cilës ka qenë aktori ai i cili ka tërhequr këmbëzën.
Viktima është drejtoresha e fotografisë Halyna Hutchins, 42-vjeç, teksa nga të shtënat ka mbetur i plagosur regjisori Joel Souza. Për momentin nuk është zyrtarizuar ende asnjë akuzë për ngjarjen, që është nën hetim.
Hetuesit të cilët vizituan skenën e të shtënave, thonë drama duket se lidhet me një armë të përdorur si aksesor në xhirime. Hetuesit po përpiqen të zbulojnë se çfarë lloj plumbi është qëlluar dhe në ç’mënyrë”, thuhet në deklaratën e sherifit. Hutchins dhe Souza “u qëlluan kur Baldwin zbrazi armën”, u shpreh sherifi i Santa Fe, duke shpjeguar se drejtoresha i fotografisë vdiq më vonë si pasojë e plagëve.