Pas situatës kaotike që u krijua në universitete në lidhje me kushtin për vaksinim të detyruar, ka reaguar dhe gazetari Mentor Kikia.
Ky i fundit thekson se pedagogët janë në hall, pasi nga njëra anë ministria iu kërkon që studentët e pavaksinuar të mos i pranojnë në auditore dhe nga ana tjetër mund të akuzohen se po i lënë ata pa mësim.
REAGIMI I PLOTE:
Njëra thotë hip se të vrava, tjetra thotë zbrit se të vrava
-Je vaksinuar – pyet gazetarja studentët para fakultetit
-Jo!
-Përse?
-Sepse nuk dua të vaksinohem me detyrim
Aha, nuk do të vaksinohet me detyrim. Po vaksinohu pa detyrim mor bir, në dorë e ke.
-Nuk dua fare të vaksinohem – thotë dikush tjetër në një studio TV-je – duhet të më respektoni vendimin. Njëri madje kishte regjistruar edhe dialogun me pedagogen, të cilës i thoshte se s’ke asnjë të drejtë të më kërkosh të bëj vaksinën ose të dal jashtë.
-Po mirë – i thotë zyrtarja e Ministrisë së Shëndetësisë – ta respektojmë vendimin, atëherë bëj PCR çdo javë.
-Po ajo kushton
-Po atëherë bëj vaksinën që nuk kushton fare…
-Po të drejtat e njeriut…
Hëmmmm këtu ngec muhabeti. Nga një popull me vetëm detyrime dhe asnjë të drejtë, më duket se kemi kaluar në një popull me vetëm të drejta e asnjë detyrim.
Ndërsa pedagtogët janë në hall. Të hapin derën, do i akuzojnë se po shkelin masat. Të mbyllin derën, do i akuzojnë se po lënë studentët pa mësim.
Si e tha Gjinoja i shkretë atë shprehjen: Njëra thotë hip se të vrava, tjetra thotë zbrit se të vrava. Nga tia mbaj unë?