Në kuadër të nismës “Foltorja” ish-kryeministri Sali Berisha ka vijuar takimet me simpatizantët.
Sot ai është ndalur në qytetin e Gjirokastrës.
Berisha fajësoi Bashën lidhur me humbjet e PD në zgjedhje, ndërsa foli edhe një herë për ndryshimet statutore që do të pasojnë mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, për të cilin Berisha ka inicuar mbledhjen e firmave.
Ish-kreu i qeverisë tha ndër të tjera se në statutin e ndryshuar do të vendoset dorëheqja e kryetarit në rast të humbjes së zgjedhjeve si dhe votimi nga partia i emrit të kryeministrit.
“Kryetari po humbi zgjedhjet lokale të japë dorëheqjen. Le të kandidojë prapë po të dojë! Kryetarëve të degëve u kërkoi të japë dorëheqjen nëse zgjidhen, ndërsa vetë nuk njeh dorëheqje. Ne do të vendosim një rregull tjetër. Edhe Kryeministri, për t’u bërë Kryeministër do votohet në parti. Kjo parti Kryeministrin e parë e ka përzgjedhur me dy kandidatura me votim në Këshillin Kombëtar. Dhe tani ne do ta bëjmë më demokratike partinë. Një njeri që thotë kam studiuar në Europë dhe shkelmon mbi votën është jashtë çdo imagjinate. Këtë parti do ta bëjmë parti të lirisë, siç janë idealet tuaja”, tha Berisha.