Numri dy i qeverisë Arben Ahmetaj ka shpjeguar me detaje se si do të realizohet rritja e pagave gjatë mandatit të tretë.
Në fjalimin e tij të parë si zv.kryeministër, Ahmetaj është shprehur se në objektivat e programit 2030 është edhe rritja ekonomike mesatarisht me 4% në vit.
Ndërsa për pagat tha se do të fillojë rritja graduale nga korriku i vitit 2022. “40% deri në fund të mandatit, për mësuesit, mjekët dhe infermierët.
30% deri në fund të mandatit për punonjësit e administratës publike. Paga mesatare në sektorin publik do të rritet nga 72 mijë që është aktualisht, në 85 mijë lekë/muaj deri në fund të mandatit. Vijojmë progresivitetin, duke rishikuar shkallën e sipërme të taksimit, pra niveli i taksimit prej 23% do të aplikohet për pagat mbi 200 mijë (nga 150 mijë që është sot) dhe gradualisht deri në fund të mandatit, pragu i tatueshëm do të zhvendoset në mbi 250 mijë”, tha Ahmetaj.
Ndërkohë, sa u përket politikave sociale, ai u shpreh se në planin e punës 2021-2022 prioritet do të jetë strehimi.
“4500 banesa të reja individuale do të përfundojnë brenda vitit 2021, duke strehuar të gjithë banorët që humbën shtëpitë e tyre. 12 mijë apartamente në lagjet e reja do të jenë ndërtuar brenda vitit 2022, duke strehuar të gjithë familjet që humbën apartamentet e tyre. 28 kantiere të reja të infrastrukturës publike do të kenë përfunduar deri në pranverën 2022.
Të gjitha shkollat e rindërtuara me financim nga buxheti dhe pjesa më e madhe e shkollave me financim nga donatorët do të kenë përfunduar në pranverën 2022 (donatorët do të vijojnë sipas afateve të parashikuara në marrëveshjet e nënshkruara me qeverinë shqiptare, në përputhje me procedurat e tyre)”, vijoi Ahmetaj.