Varianti “Delta” ka rritur ndjeshëm numrin e infektimeve dhe fataliteteve në Shqipëri gjatë ditëve të fundit, ku janë regjistruar 4149 raste të reja dhe 15 viktima.
Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, që është edhe anëtar i Komitetit Teknik të Ekspertëve, thotë se fokusi duhet të jetë tek vaksinimi masiv, duke përfshirë edhe gratë shtatzëna, teksa shton se gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit duhet të përballemi me 3 probleme.
“Në Vjeshtë-Dimër duhet të përballemi me tre probleme. Me përqindjen e të vaksinuarve, kohëzgjatjen e tyre, me imunitetin e tyre dhe format rezistence në variantet e tjera. Delta në krahasim me variantin Alfa, ka një r 0.7, shpërndarja kaq e lartë nuk të lejon që të kesh shumë rezultate në vaksinim”, tha Brataj për Tv Klan.
Referuar studimeve, imuniteti nga vaksinat zgjat 8 muaj, ndaj Brataj thotë se në fokus duhet të jenë edhe personat që u vaksinuan të parët.
“Në Izrael është bërë një studim që vërteton se imuniteti është 8-9 muaj. Për ata që janë vaksinuar dhe kalon ky muaj do shihet se çfarë do të bëhet. Fakti që kërkuam vaksinim që në fillim ka patur përkrahje”, u shpreh Kreu i Urgjencës.