Kryetari i Bashkisë Fierit Armando Subashi në lidhje me stabilizimin e situatës së djegies së mbetjeve tha se deri më 30 gusht situata do ketë marrë zgjidhje.
Subashi tha se plehrat nuk janë dërguar në landfill, pasi ende nuk është rehabilituar rruga që çon mbetjet atje.
“Kemi një vepër të madhe të përfunduar e cila është gati. Nga 30 gushti do të jetë afati maksimal kur ne të mbyllim këtë problem të vjetër të mbetjeve të Fierit. Nëse punohet apo jo, ju e shikoni vetë. Jemi duke punuar non-stop me mjetet e bashkisë. E vetmja zgjidhje në këtë rast është mbyllja me dhera. Sjellja e zjarrfikësve nuk jep zgjidhje. Uji e rindez më shpejt, e vetmja zgjidhje është mbulimi me dhe. Nuk mund të themi me siguri nëse është ndezur nga ndonjë dorë, apo mori flakë vetë. Maksimumi nesër deri pasnesër ne do marrim në dorë situatën. Rruga për te inceneratori duhet bërë. Besoj do të zgjidhet. Pas pak ditësh kjo do të marrë zgjidhje”, tha Subashi.
Ndërkohë meë herët deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike në Fier, Luan Baçi, e ka konsideruar alarmante situatën nga mbetjet në qytet.
“Situata është e dukshme tashmë, një situatë vërtet alarmante, e rrezikshme dhe shumë dëmtuese për qytetarët e Fierit. janë ditë të tëra që qyteti i Fierit është në gjendje katastrofike, tym dhe blozë në çdo shtëpi. Qytetarët janë mbyllur brenda. Nuk është situatë për të bërë politikë dhe unë jam plotësisht dakort me këtë madje më vjen keq që çdokush mundet të thotë që po bëjme politikë me këtë fatkeqësi. Kemi ditë që e ndjekim situatën nga afër, e kemi denoncuar duke ofruar edhe ndihmesën tonë se sim und të zgjidhet. Ka disa ditë që bëhet sikur punohet. Janë me dhjetëra raSte që këtu ka pasur zjarre. Kjo e kësaj here ishte jashtë çdolloj parashikimi dhe ndodh në një situatë që incerneratori korruptiv i Fierit që PD e ka denoncuar ata kanë deklaruar se ata janë gati për të filluar punën që në 25 maj. Duhet të ishin marrë masa për ta pastruar dhe zhbllokuar. Nuk mendoj se do të marrë zgjidhje me 2 mjete që kanë sjellë këtu”, u shpreh ai.