Analisti i njohur Fatos Lubonja ka folur sot rreth masakrës në Velipojë ku mbetën të vrarë 4 persona si dhe u plagosën 32 të tjerë.
Ai u shpreh se fakti që konstaton si dramatik është që ky shtet gjithnjë e më shumë është kapur nga politikanë që e kanë privatizuar Shqipërinë dhe se kanë kuptuar pushtimin e vazhdueshëm të vendit nga krimi.
“Padyshim ishin ngjarje shumë serioze dhe përjetimi i parë ishte pikërisht se mu duk që nuk u trajtuan me seriozitetin që meritojnë. Vura re që kishte shumë kritika, që shteti nuk iu ka dhënë shteti licencat këtyre dhe ndaj është krijuar, sikur ishte kjo përgjegjësia kryesore ose gjëja kryesore tek e cila duhet të reflektonin. Kurse për mua nuk është kjo. Ajo që pashë unë dramatike është që ky shtet gjithnjë e më shumë është kapur nga politikanë që e kanë privatizuar Shqipërinë, duke e lënë në duart e krimit gjithnjë e më shumë. Kuptova pushtimin e vazhdueshëm të Shqipërisë nga krimi.
Vetë ndarja e plazhit në këtë mënyrë dhe tek këta lloj njerëzisht, është metaforë e asaj se si po ndahet Shqipëria. Merr mesazhin nga këto ngjarje se e ka jetën të pasigurt, se është në duart e kriminelëve të armatosur, që luftojnë me njeri-tjetrin. Kjo është thjesht një metaforë. Herës tjetër folëm a po zhduket Shqipëria dhe në ato reagimet që mora, ishte ore mos është më mirë të zhduket fare, ironia se kanë parasysh këtë, një vend që sundohet nga kriminelët, a meriton të ekzistojë, a është vend ku të jetojë i lirë dhe me dinjitet njeriu.
Pjesa tjetër janë ato që kanë të bëjnë me atë se si reagon kryeministri Rama apo ministri Çuçi”, tha Lubonja.
Sa i përket deklaratave dhe reagimeve nga qeveria, ai u shpreh se të mbulosh realitetin për mua do të thotë të mbulosh plagët.
“Është reagim që rëndom ka bërë Rama me ngjarje të tilla. Mjafton t’ju kujtoj faktin kur në Shqipëri fluturonin avionët e trafikut, ai tallej e thoshte janë avionë që bën spërkatje. Këtë propagandë e bëjnë mirë se e mbulojnë kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht. Të mbulosh realitetin për mua do të thotë të mbulosh plagët. Nuk mund të shkosh të shembësh ato shtëpitë në bregdet, kur ti e privatizon plazhin me kriminelët dhe nuk është vetëm plazhi. Është tendencë që ka nisur herët por vazhdon. Mos të harrojmë lavatriçet pa fund që kanë shkatërruar lumenjtë, shqiptarët kanë prerë pyjet, kodrat po gërryhen nga fabrika çimentosh. Shqipëria po gërryhet. Ky është sistemi që është ngritur në Shqipëri. Njerëz si Rama, Çuçi e të tjerë kanë shërbyer si menaxherë të interesave të atyre”, tha ai.
Do të ishte e vështirë t’i parandaloje këto ngjarje? Sipas Lubonjës ta minimizosh gjënë, të mos shikosh trupin por një pjesë, do të thotë të mos shkosh tek e vërteta. “Po flas për faktin se e dinë gjithë shqiptarët se si i gjithë bregu është dhënë. nuk janë njerëz që kanë vënë para të ndershme, por nëpërmjet drogës. Shiko Tiranën. Kjo tregon për gëlimin e krimit. Jo të gjithë këta vriten përditë, por në një vend ku jetohet përmes krimit dhe njerëzit nuk kanë asnjë synim tjetër, vetëm të bëjnë para, kjo është drama që del pas kësaj. Ata nuk duan ta shohin këtë dramë.
Shikoni se sa të burgosur janë në Angli, ata vijnë këtu e pastrojnë para. Këta nuk duan t’i shikojnë, jo se nuk i dinë, por nuk iu interesojnë”, tha Lubonja.