Esmeralda, vajza nga Përmeti e cila i shprehu dëshirën për tu bërë prokurore ka takuar ambasadorin e BE, Luigi Soreca.
Ishte ambasadori i BE-së, ai që e ka ftuar të renë në zyrë, ku kanë diskutuar për të ardhmen e saj, dhe nënvizon se do të qëndrojë në kontakt të ngushtë me të gjatë studimeve të saj.
“Gjatë ‘Javëve të Evropës 2021’, ndaluam në Përmet ku takova Esmeraldën e cila dëshiron të bëhet prokurore për të dhënë kontributin e saj në forcimin e Fuqisë së Ligjit. Unë e ftova atë në zyrën time për të diskutuar në lidhje me të ardhmen e saj pasi së shpejti do të fillojë në Tiranë Fakultetin Juridik.
Ne ramë dakord të qëndrojmë në kontakt të ngushtë gjatë studimeve të saj. Me të rinj të përkushtuar si Esmeralda, Shqipëria ka një të ardhme të ndritur përpara! Mbështetja e fuqizimit të të rinjve në Shqipëri do të vazhdojë të jetë një përparësi kryesore për ne. Të rinjtë e sotëm në Shqipëri janë qytetarët e ardhshëm të Bashkimit Europian”, shkruan Soreca.