Procesi i vaksinimit në Shqipëri vijon me ritme tejet të larta, ndërsa fasha ka zbritur deri në moshën 58 vjeç.
Ditën e sotme, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu teksa ka publikuar një foto të ekipit të vaksinatorëve në sheshin ‘Skënderbej’ ka apeluar qytetarët që janë mbi 57 vjeç ose i përkasin grupeve të riskut të paraqitën për t’u vaksinuar kundër Covid-19.
‘Me ekipin e vaksinatorëve që në këto momente janë në shërbim të qytetarëve në sheshin Skënderbej, ju ftojmë të gjithëve ju që ende nuk e keni kryer vaksinën dhe jeni mbi 57 vjeç ose i përkisni grupeve të riskut, të paraqiteni pranë qendrave të vaksinimit, për të vijuar këtë proces jetik”, shkruan Manastirliu.
Objektivi i qeverisë është që të arrihet shifra 1 milion vaksinime brenda muajit qershori, shifër kjo e arritshme pasi numri i të vaksinuarve ka shkuar në rreth 900 mijë.