Kandidati Fatbardh Kadilli, i renditur i katërti në rang vendi në rezultatin e zgjedhjeve për kryetarin e ri të Partisë Demokratike, ka pranuar rezultatin. Në një konferencë për mediat, Kadilli tha se zgjedhjet arritën të mundësonin një garë por jo standard.
Sipas tij, Basha përdori asetet e partisë për të garantuar fitoren e tij të pamerituar. Një garë e pabarabartë e cila për të dëshmon se zgjedhjet brenda partisë kishin po të njejtin mekanizëm të atyre parlamentare afro dy muaj më parë.
Kadilli ka thënë se nuk do të largohet nga partia dhe as nuk do të krijojë një parti të re. Demokrati kërkon që partia e tij të forcohet dhe të jetë gati për të qeverisur vendin.
Pjesë nga fjala e Fatbardh Kadillit:
Jam krenar që në partinë time, jo për interesin tim, ndeza shkëndijën e parë të garës. Më shumë se garë ishte një sfidë. Kjo sfidë tregoi që opozita nuk ishte ekskluziviteti i askujt. Ata që votuan dhe ata që nuk votuan.
Nuk jam këtu për të përligjur për të shprehur keqardhje për fitoren publicitare të Lulit. Patë pabarazi, dhe kohë shumë të shkurtër. Patë një kryetar që nuk lëshoi zyrën, kryetar degësh që nuk mbajtën distancën. Patë demokratë që nuk gjenin emrin në listë dhe fenomene të ndryshme.
Para shqiptarëve ofruam një garë po jo standarde. Unë nuk jam Luli, unë e pranoj këtë rezultat dhe vendimin e demokratëve. Unë nuk iki nuk dorëzohem nuk krijoj parti të re, do vijoj me këmbëngulje këtë projekt kryengritjeje, vetëm kështu demokratët do të kenë një parti të tyre dhe vetëm kështu politika bëhet e vërtetë.