Spartak Braho, anëtar i komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit, në emisionin “Frontline” në News24, sqaroi çështjen me ‘çantën e zezë’ të baba Takut, siç shumëkush thotë.
“Jo, e di që do ta vuaj këtë punën e çantës së zezë sa të jem gjallë. Simbolike ka qenë. Informacione ka kudo”, deklaroi Braho.
Duke u kthyer tek raporti me 100 faqe i Komisionit hetimor parlamentar për shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta, Braho shprehet i bindur se më 9 qershor ai do të shkarkohet dhe me më shumë vota se sa u emërua.
“Po ky është një raport i ndërtuar mbi bazën e veprimtarisë hetimore të komisionit. Komisioni punoi relativisht në një kohë të shkurtër por të mjaftueshme për të arritur në konkluzionin përfundimtar që pres duhet shkarkuar. Ka tamam 100 faqe dhe kam bindjen që parlamenti do ta shkarkojë më datën 9 presidentin dhe kam bindjen se votat e shkarkimit do jenë më shumë se ato që e emëruan president.
Janë materiale hetimore pjesë e veprimtarisë së komisionit. Nxitimi ishte brenda por nuk ka të bëjë me cilësinë e raportit dhe punës hetimore. Të tëra me lupë janë, madje ka gjëra që dhe unë nuk i kam ndjekur, kuriozitet të madh, por janë ato që duhet të jenë. Më shumë se sa argumentet kushtetuese që lidhen me vërtetimin e shkeljeve të Kushtetutës, pjesa tjetër është material që e ka krijuar vetë presidenti”, deklaron Braho.