Mbrëmjen e djeshme kreu i PDIU Shpëtim Idrizi ka treguar se vitë më parë i ka dhënë lekë borxh kryeministrit Edi Rama kur ky i fundit është kthyer nga Franca.
Sipas tij, ai e ka ndihmuar kreun e qeverisë sepse i vinte keq.
I pyetur se nëse Rama ia ka kthyer borxhin, Idrizi tha se ka kohë deri në 25 prill, pasi e kanë me kthim në natyrë.
“Mbaj mend që i kam dhënë borxh zotit Rama për ta ndihmuar sepse më vinte keq, që ai pas shumë vitesh emigracion erdhi në Shqipëri vetëm me 3 mijë euro, të paktën këtë ka treguar. Jemi duke ia kthyer njëri tjetrit këtë kohë dhe kemi kohë deri në datë në 25, e kemi kthim në natyrë”, tha Idrizi.
Përsa i përket sulmeve të Ramës në drejtim të tij, kreu i PDIU-së tha se kryeministri ka frikë nga votat e partisë së tij, të cilat përcaktojnë mandate në 4 qarqe.
“Ai e di shumë mirë që votat e PDIU-së në Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë dhe Elbasan prodhojnë mandate për opozitën, dhe ja heqin Edi Ramës”, u shpreh Idrizi.