Gjeneral Rrahman Parllaku i cili pak kohë më parë ka mbushur 100 vjeç , gjatë një interviste me gazetarin Roland Qafoku në programin “Debati në Channel One”, ka rrëfyer historitë e luftës që ai ka përjetuar gjatë jetës së tij.
Ai ka listuar katër kriminelët më të mëdhenj të Shqipërisë së sipas tij janë :Enver Hoxha, Hysni Kapo, Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu.
Më pas gjenerali ka treguar dhe njohjen e tij me politikanët pas periudhës së diktaturës: Lulzim Basha, Fatos Nano, Edi Rama, Sali Berisha dhe Ilir Meta si dhe marrëdhëniet që mban me ta.
INTERVISTA E PLOTE
Zoti Parllaku, sëpari gëzuar 100 vjetorin e lindjes dhe ju uroj shëndet!
Faleminderit!
Zoti Parllaku si është të jesh 100 vjeç. Ditën që mbushët një shekull a iu drejtuat Zotit me falënderim?
E prisja 100 vjetorin normalisht,. Një aksident ma vështirësoi pak. Edhe moralisht më uli që po shkoja 100 vjec. Edhe një njeri që takon në rrugë e uron u bëfsh 100.Unë u bëra 100.Njeriu thotë në këtë jetë hyra nga një portë dhe dola nga një tjetër. Tani që jam një shekull them se bota është gjithnjë e mirë. Sido që ta kalosh, jeta ime ka qenë me batica dhe zbatica. Ulje dhe ngritje por mund të them që ka qenë jetë e mirë.
Zoti Parllaku, tani që jeni një shekull a mund të thuash që e ke shijuar jetën?
Po. Jetën e kam shijuar.
Çfarë i thatë Zotit ditën që mbushët 100 vjec? A e falenderuat?
Unë nuk mund të gënjej. Nuk e falenderova Zotin sepse unë nuk besoj. Nuk besoj jo se nuk kam besuar asnjëherë. Madje në rininë time familja ime ishte me tradita fetare muslimane. Kryenim dhe ritet. Përpara lëvizjes unë kam falur edhe xhumanë por kam mbajtur edhe Ramazan. Kam ndjekur ritet e rregullta që nga mosha 8 vjeç deri në 20 vjeç. Por gjatë komunizmit ne e mohuam fenë. Dhe si të tillë unë nuk mund të them sot që jam besimtar. Nuk mund të bëj si disa që me teserën e partisë në xhep që dikur e shanë Zotin dhe tani thonë Zoti ju ndihmoftë. Unë nuk e bëj dot këtë.
Në këto 100 vjet a keni rrezikuar jetën?
Po sepse jam plagosur dy herë. Të dy herët në luftë kur më qëlluan me artileri gjermanët.
Keni marrë pjesë në luftë dhe jeni ndeshur me pushtuesit. A keni vrarë dikë?
Si mund ta bësh këtë pyetje. Të vrasin dhe të mos vrasësh nuk shkon. Të jesh në luftë dhe të mos vrasësh nuk ka kuptim. Në luftë të vrasin dhe do vrasësh. Rusët thoshin: Vrite gjermanin se të vret. Një rast ishte ai kur kisha dy robër lufte gjermanë. I vrava sepse nuk kisha ku t’i çoja, nuk kisha ç’të bëja me ta.
Keni lindur në 1919, keni jetuar rininë në mbretërinë e Zogut, keni qenë pjesë e rezistencës gjatë Luftës së Dytë Botërore, keni jetuar gjatë sistemit diktatorial me privilegje por edhe keni bërë 16 vjet burg dhe tani prej 29 vitesh shijoni demokracinë. Cila nga këto periudha ka qenë më e mira për ju?
Natyrisht periudha më e mirë ka qenë ajo e luftës së Dytë Botërore. Ajo më ka dhënë shumë. Natyrisht unë isha i ri. Lashë Kukësin dhe shkova në Vlorë dhe atje jetonim si familje me një aktivitet tregtar, por përfshirja ime në luftë kundër italianëve dhe gjermanëve ishte ngritja ime si njeri.
Është thënë dhe stërthënë historia e masakrës së Tivarit. A mund të na jepni ju variantin tuaj?
Masakra e Tivarit është një sajesë e Uran Butkës. Uran Butka gënjen atje. Uran Butka hodhi një parullë që ka qenë Ramiz Alia. U bë fakt sikur Ramiz Alia ka organizuar Tivarin. Unë dhe Ramizi, kur ndodhi ngjarja e Tivarit kemi qenë në Mitrovicë të Kosovës. U kthyem në 15 mars në Mitrovicë nga Sanxhaku. Tivari ka ndodhur në 12 ose 13 prill, nuk e mbaj mend mirë. Kur unë po vija nga Sanxhaku mezi po sillja të plagosurit. U mobilizuam të shëronim të plagosurit dhe të sëmurët. Ata i vranë serbët, brigade e dhjetë malazeze.
Në monitor do shfaqen fotografitë e 10 figurave të historisë të Shqipërisë. Nga përvoja juaj, nga kontaktet që keni patur do doja të më portretizonit dhe të më tregoni se çfarë vendi zënë ata në histori sipas jush.
Ahmet Zogu?
Ishte biri i pashait dhe nipi i Esad Pashë Toptanit. Ishte i zgjuar dhe ishte i ri kur u përfshi në politikë. Doli edhe kundër dajës së tij. Iu dha shans në Kongresit të Lushnjës dhe siguroi punimet sepse nuk i lejohej nga italianët. Aty nisi karriera e tij. A ishte Zogu demokrat? Jo. Ishte mbret. Zogu uli veten kur u largua nga Shqipëria. Sikur Ahmet Zogu të mos kishte ikur më 7 prill dhe të kishte qëndruar në mal sikur vetëm 5 ditë, unë sot do të isha ende zogist. Të kishte larguar hungarezen dhe djalin por ama vetë të kishte qëndruar këtu. Bënë mirë që i sollën eshtrat sepse çdokush ka të drejtëtë ketë një varr.
Enver Hoxha?
Vendi i Enver Hoxhës në histori është në koshat e plehrave. Jo pse më dënoi mua. Unë kam qenë njeri shumë i afërt me Enver Hoxhën. Kam punuar për 1 vit e gjysme në një tavolinë. Tavolina në mes dhe unë këtej dhe ai nga ana tjetër. Unë isha shef i personelit të ushtrisë. Ai ishte ministër i Mbrojtjes. Mbante ndërkohë postin e kryeministrit dhe të ministrit të Jashtëm. Unë e kam njohur shumë mirë Enver Hoxhën. Kush tha se ishte budalla. Ishte shumë i zgjuar. Një komplotist si ai nuk mund të ishte budalla.
Si ka mundësi që Enver Hoxha ju vrau, ju preu, ju burgosi ju shpallin tradhtarë, ju shkatërroi familjet dhe ju shkatërroi jetën si ka mundësi që përsëri thoshit të rrojë Enver Hoxha?
Më pyetët më lart përse nuk e vratë Enver Hoxhën meqenëse ju shkatërroi jetën. Shikoja nga burgu radhët për vajgurin dhe qumështin për të marrë 1 litër dhe përsëri thoshin të rrojë Enver Hoxha si mund të bëhej kjo në 1974. Ai manipuloi. Dhe vuri gjithë aparatin në funksion. Të gjithë me dashje dhe pa dashje ishin në funksion të tij. Edhe unë kam qenë beniamin i tij. Unë kam qenë beniamin i Enver Hoxhës dhe kam bërë gabim. 27 vjeç u bëra deputet, isha hero i popullit, zv.ministër i Mbrojtjes dhe detyra të tjera. Domethënë edhe unë e kam ndihmuar Enver Hoxhën në punën e tij.
Ramiz Alia?
Dyshohet që ka qenë në shërbim të Enverit që kur ka qenë përgjegjës i rinisë në Berat. Nuk mund të flas asgjë. E kam patur komisar. Më ka respektuar.
Po si nuk të mbrojti kur të arrestuan?
Kush të të mbronte, Ramiz Alia? Unë Ramizin nuk e fus te katërshja e kriminelave të Shqipërisë. Ju them se katër kriminelët më të mëdhenj të Shqipërisë ishin: Enver Hoxha, Hysni Kapo, Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu. Hysni Kapo ishte pas Enverit. Ai i përgatiste të gjithë raportet Enverit. Ai i mbulonte të gjitha ushtrinë, ministrinë e Brendshme, zbulimin e jashtëm, kërkoi edhe të brendshmit. Të gjitha informacionet ia çonte Enverit. Sigurimi varej nga Hysniu. Ramiz Alia ka meritën që bëri kalim të butë të pushtetit. Këtë ka meritë. Nuk pati gjakderdhje.
Mehmet Shehu?
Kam dy gjëra. E kam vlerësuar dhe e vlerësoj si luftëtar dhe si aftësi. Dikush ka thënë se është kryeministri më i mirë. Unë them jo. Është kryeministri më i zoti. Unë kam qenë banimin i tij. Në tre përpjekje me jugosllavët kam qenë me të. Mehemti nuk pranoi në Shkup që shefi i shtabit të Ushtrisë sonë të varej nga jugosllavët. Kundërshtoi jugosllavët kur erdhën në Shqipëri për të diplomuar ushtarakët e tyre. Në raportin e artit ushtarak popullor nuk e përmendi Titon në asnjë vend. Të 9 këshilltarët jugosllavë ikën nga mbledhja. Sapo u njoftua Enveri, ai menjëherë urdhëroi Themelkon të mbante një raport që kundërshtonte Mehmetin dhe në të thuhej për rolin e Titos në lëvizjen partizane shqiptare. Në çdo ngjarje të jetës sime ditëlindje, dekorim, vlerësim ai bashkë me Fiqeren më kanë ardhur në shtëpi. Mehmetin e vrau Enveri. Nuk ka rëndësi kush e tërhoqi këmbëzën.
Beqir Balluku?
Luftëtar si të gjithë neve. Ka pasur suksese dhe jo sukses. Por ka drejtuar luftën. Ka qenë komandant i njësiteve të Tiranës. E ka mbrojtur Enverin në luftë dhe e çonte nga një bazë në tjetrën. Edhe pse e dërguan në Rusi nuk e lanë të mbaronte të plotë shkollën, bëri vetëm 1 vit. Drejtoi ushtrinë për 22 vjet. Mësoi shumë nga këshilltarët rusë dhe mori eksperiencën e tyre.
Sali Berisha?
Kam konsideratat më të larta. Nuk e ka mohuar kurrë luftën. Edhe si karakter. Statusin e veteranit e ka bërë Sali Berisha. Në nëntor 1995 u ftua në Francë dhe Rusi dhe mblodhi veteranet kur u kthye. Në këtë takim tha: Jam ndjerë shumë krenar që bashkë me flamujt e tjerë ishte edhe flamuri shqiptar si pjesë e rezistencës së shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Fatos Nano?
Nuk e njoh fare këtë. E di qeshte i biri i Thanas Nanos se e kam patur në Vlorë. Por të birin nuk e njoh.
Ilir Meta?
Atë që ka bërë Iliri Meta për mua zor se mund të bënte një President tjetër. Ai ka konsideratë për mua dhe unë kam konsiderate për të.
Lulzim Basha?
Ka vazhduar marrëdhëniet me mua pak a shumësi Saliu, por jo tamam si ai. Më ka pritur në mënyrë të veçantë. Tani dhe jetëgjatësia ime I ka detyruar këta të më respektojnë dhe të më takojnë. Kam marrëdhënie normale. E vlerësoj si tëri. Shpresoj që Partinë Demokratike ta bëjë masive sepse nuk ka qenë e tillë.
Edi Rama?
Zyrtarisht nuk jam takuar asnjëherë me Edi Ramën. As ai nuk ka kërkuar të takohet me mua dhe as unë nuk kam kërkuar ta takoj atë. Një herë kur jemi shkëmbyer në një spital. Më pa dhe më thirri ku je komandant. Por nuk e di nëse vajta unë te Edi apo erdhi Edi te unë.