Menjëherë pasi mori postin e rëndësishëm si zv.presidente e Asamblesë së Përgjithshme të NATOS-s, deputetja socialiste Mimi Kodheli ka dhënë një mesazh të fuqishëm.
Ajo ka folur më tej dhe për sfidat që e presin në këtë detyrë të re.
Duke sjellë në kujtesë thënien e Stoltenberg se siguria shëndetësore nuk duhet të cënojë sigurinë mbarëbotërore, Kodheli i fton të gjithë aktorët politik në vend t’i lënë mënjanë divergjencat politike dhe të bashkëpunojnë në lidhje me pandeminë, pasi sipas saj të gjithë ndodhen në të njëjtën varkë.
“Më lejoni të ndaj me ju diçka që Sekretari i Përgjithshëm i NATOS, Stoltenberg, theksoi në hapje të seancës plenare të mbledhjes së fundit vjetore të Asamblesë së NATOS, ku theksoi se siguria mbarëbotërore nuk mund të kthehet në një problem të sigurisë shëndetësore ose anasjelltas.
Kjo pandemi nuk mund të cënojë sigurinë. Edhe në këtë betejë të përbashkët ku ne jemi, ka shumë tentativa për ta shfrytëzuar këtë për qëllime jo të mira. Ndaj duhet të jemi shumë vigjilent për ta menaxhuar këtë situatë, si dhe për të kuptuar se siguria jonë është shumë e rëndësishme dhe më pas vjen siguria shëndetësore e kështu me radhë. Ndaj në këtë betejë përtej divergjencave politike, duhet të punojmë të gjithë bashkë. Jemi në të njëjtën varkë dhe rremat do t’i luajmë vetëm ne pasi gjithësecili luan rremat e tij këto kohë, bregu është aty por kemi ende shumë punë për të bërë”, tha Kodheli për “Fax News”.