Mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero, i është përgjigjur deklaratave të qytetarëve se pacientët presin në autoambulanca, ku edhe trajtohen se janë ezauruar vendet tek Infektivi dhe Shefqet Ndroqi.
Pipero e mohoi duke treguar si qëndron e vërteta.
Sipas tij, kjo është një procedurë për të kaluar nga autoambulanca në urgjencë e më pas në pavion. Pipero sqaroi se ka një hallkë shërbimi që duhet realizuar me përpikmëri, ndaj pacientët duhet të bëjnë durim.
Në rast se vendet ezaurohen në spitalet Covid, Pipero thekson se do të përdoren spitalet rajonale për të trajtuar pacientët.
Lidhur me masat për kufizimin e orareve të bareve dhe lokaleve të cilat do të mbyllen në orën 10 të darkës dhe nuk do të hapen deri në 6 të mëngjesit, Pipero saktëson se këto masa i paraprijnë një mbyllje totale, që në mendimin e tij nuk do të përsëritet në vendin tonë.
“Natyrisht që vendimin për mbylljen dhe unë e kam dëgjuar nga mediat. Të gjithë biem dakord që mbyllja nuk është zgjidhja por është e detyruar nga rritja e shifrave. Është një vendim i cili po merret në të gjitha vendet e botës. Unë kam kërkuar që të kufizohen kapacitetet e bareve dhe restoranteve, duke hequr tavolinat, vendimi për masat e reja kufizuese i paraprin një mbylljeje totale. Në mendimin tim nuk do të ketë një karantinë të plotë të dytë”, tha Pipero.