Ashpërsohen masat për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit në Shqipëri.
Pak pasi u lajmërua, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka dalë në konferencë të jashtëzakonshme.
Zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli ka njoftuar një karantinë të pjesshme, e cila do të hyjë në fuqi në javën që sapo ka nisur.
Kështu, numri dy i Shëndetësisë ne vend deklaroi se nga e mërkura, pas orës 22:00, deri në orën 06:00, nuk do të ketë asnjë lëvizje.
Në këtë fashë orare, do të jenë të mbyllura edhe lokalet e restorantet, dhe do të lejohet vetëm shërbimi i transportit (delivery).
Sipas Rakacollit, çdo javë, do të bëhet një rishikim i masave të marra, duke sjellë shtrëngimin e tyre ose lirimin, në bazë të ecurisë së infektimeve.
“Kemi analizuar me hollësi dhe në detaje rezultatin e masave të marra deri më tani si dhe eksperincën e vendeve përreth. Kemi evidentuar se në Shqipëri është vënë re një shtim i transmetueshmërisë së infeksionit. Është rritur edhe incidenca.
Në kushtet ku nuk ka ende një kurrë, mënyra më e mirë është parandalimi. Duke analizuar shifrat, shkaqet, rekomandimet e organizatës së OBSH-së komiteti propozon të merren disa masa në përputhje me strategjinë tone vjeshtë-dimër.
Ne vlerësojmë se duhet ti marrim këto masa dhe i konsiderojmë ato të domosdoshme për pengimin e përhapjes së këtij infeksioni. Masa që ne kemi vendosur është izolimi i vendit nga ora 22:00 deri në ora 06:00. Lokalet dhe restorantet mbyllur, përveç shërbimeve delivery. Hyjnë në fuqi të mërkurën, më datë 11. Rishikohen çdo javë,”- deklaroi Rakacolli.