Nga Enton Abilekaj
Nuk është asnjëherë koha e duhur për të bërë një parti të re. Sidomos në opozitë. Që me themelimin e pluralizmit ka qenë kështu. Dhe vazhdon të jetë për të evidentuar terrenin jodemorkatik që kanë krijuar forcat e mëdha.
Konflikti i përhershëm, tensioni politik konstant, i ndan kampet, jo në konkurrentë apo kundërshtarë, por në miq dhe armiq. Në këto kushte, ata që largohen nga partia nuk janë alternativë por tradhëtarë.
Kështu po ndodh edhe me Astrit Patozin dhe Bindjen Demokratike.
Një fraksion i PD-së që u shpall “tradhëtarë” sapo u shkëput për të bërë partinë. Njësoj do të quheshin edhe një vit më parë edhe një vit më pas.
Beteja e ashpër politike, krijimi i konfliktit permanent që përdoret për të konsoliduar pozitat kryetari i partisë humbëse të zgjedhjeve, shkakton efekte që nuk mund të quhen anësore.
Dëmton terrenin ekonomik, tremb biznesin, largon investitorët dhe gjithashtu shkatërron florën dhe faunën demokratike. Partitë jashtë llogoreve të të mëdhenjve dalin nga loja, askush nuk mund të dëgjojë zërat që flasin në zhurmën e luftës.
“Koha e duhur” nuk ekziston si koncept në këto kushte. Ajo që e bën Bindjen Demokratike të shihet si bashkëpunëtore e Ramës, është regjistrimi në zgjedhje. Gjykata veproi më shpejt se herët e tjera për regjistrimin e BD, por kjo mund të shndërrohet në akuzë nëse nuk do të shoqërohej me regjistrimin në zgjedhje me procedura të paprecedenta.
Një regjistrim që ndalohet nga neni 64 i Kodit Zgjedhor dhe nga neni 15 i Ligjit për partitë Politike vetëm për të futur në zgjedhje një forcë opozitare, në kohën kur opozita zyrtare refuzoi të regjistrohej.
I përndjekur ende pa u themeluar “Bindja” nga akuza për shërbim ndaj Ramës, Patozi po mundohet të nxjerrë si alibi gjithë gabimet e Bashës që favorizuan Ramën në zgjedhjet e përgjithshme.
Në fakt, qëndrimi i Patozit pro pjesëmarrjes në zgjedhje, ka qenë i tillë edhe në 2017.
Marrëveshja e Bashës i dha të drejtë, por ajo që ndodhi nuk i dha të drejtë as atij dhe as Bashës. Zgjedhjet e 25 qershorit ishin prova e pakundërshtueshme se pjesëmarrja në zgjedhje të paravendosura nuk e zgjidh problemin, por e agravon atë.
Me këtë përvojë të hidhur, opozita nuk guxon sot të hyjë në zgjedhjet lokale me gjithë presionin ndërkombëtar, ndërsa Patozi ka vendosur të hyjë.
Një vendim i kompromentuar, jo vetëm nga përvoja e 2 viteve më parë, por edhe nga momenti i zgjedhur kur opozita vendosi të mos regjistrohej, si zëvendësues i PD-së.
Të gjitha këto, përballë interesit të publikut mund të harroheshin, por pikërisht ky debat e ndan shoqërinë më shumë se politika. Ata që mendojnë se zgjedhjet mund të rregullohen duke ndryshuar Kodin Zgjedhor përballë atyre që mendojnë se pa vullnet politik, pa u krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, kutitë e votimit nuk do të nxjerrin fitues, por vetëm humbës.
Zgjedhjet e përgjithshme janë shumë të freskëta për t’u harruar. Ato janë shkaku i kësaj krize, ato, jo vetëm e nxorën opozitën nga sistemi, por i dhanë maxhorancës së Edi Ramës fuqinë për të mos u trembur nga dita e Gjykimit, nga vota e njerëzve të pakënaqur dhe të qeverisë akoma më keq, ta personalizojë pushtetin dhe ta ekstremizojë abuzimin.
Çdo dalje në zgjedhje në këto kushte, vetëm sa legjitimon abuzimin, krizën politike dhe ekonomike, largimin masiv të shqiptarëve të zhgënjyer.
Megjithëse opozita nuk ka asnjë projekt se si do të realizohen zgjedhjet e lira dhe të ndershme, se si do të dilet nga ky qerthull, konstatimi i problemit e bashkon me shumicën, me ata që mendojnë se nuk mund të vazhdohet me farsën zgjedhore që pjell maxhoranca arrogante dhe të korruptuara.
Duke u futur në zgjedhje, Bindja Demokratike u rreshtua me ata që duan ta mbulojnë problemin me disa ndryshime në Kodin Zgjedhor, me ata që mendojnë se zgjidhja bëhet me pak make up, me fasadën e bërë gati nga Edi Rama.
Nëse ai do të rreshtohej me kërkesën për zgjedhje të lira dhe nuk do të hynte në zgjedhje me nxitim, edhe pa u bashkuar me frontin opozitar, atëherë askush nuk do të mund ta akuzonte as për kohën as për vendin e gabuar. Patozi mund të jetë kundërshtari më i madh i Edi Ramës, por me regjistrimin në zgjedhje, i shërben vetëm atij.
Dosja.al