Tre minatorët, trupat e të cilëve ishin shpallur të humbur prej dy ditësh, janë gjetur të pajetë mëngjesin e sotëm në një nga minierat e Dibrës.
Mësohet se ata kanë humbur jetën për shkak të asfiksisë.
Bëhet fjalë për inxhinierin Ismail Hoxha dhe dy minatorët, Ruzhdi Rrushiti e Fatos Cesku, të cilët ishin bllokuar në galerinë e minierës së Selishtës në Dibër prej 48 orësh.
Ndërkohë policia e Dibrës ditën e djeshme bëri me dije se ë galerinë ‘Balgjaj’ në Selishtë, inxhinieri i identifikuar si Ismail Hoxha 64-vjeç nga Dibra, kishte mbetur i bllokuar brenda në minierë së bashku me dy punëtorë. Menjëherë nisi puna për nxjerrjen e tyre nga ekipet e avari-shpëtimit, të cilët fatkeqësisht i kanë gjetur të vdekur.
Alarmin në polici e dha vëllai i 64-vjeçarit, Sami Hoxha. Policia shkoi menjëherë në vendngjarje, dhe nga veprimet paraprake u njoftua se personat kishin mbetur të izoluar brenda në galeri, pasi sendet personale, rrobat dhe telefonat, ndodheshin në dhomën e ndërrimit. Miniera e kromit në Balgjaj ndodhet në një territor të vështirë mes Dibrës dhe Matit.
“Në vijim të informacionit të dhënë, ku tre shtetas që punonin në minierën e “Balgjaj”, Selishtë, kishin humbur kontaktet me familjen, ju informojmë se rreth orës 3:00 datë 29.10 2020 në thellësi të minierës në Selishtë, nga ana e grupit avari- shpëtimit, u gjetën trupat e pajetë të shtetasve, Ismail Hoxha, 64 vjeç, banues në Peshkopi; Fatos Çesku, 55 vjeç, banues në Bulqizë dhe Ruzhdi Rushiti, 33 vjeç, banues në Bulqizë”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.