Ditën e sotme në media qarkulloi lajmi se kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës Flamur Golemi ishte infektuar me koronavirus.
Ndërkohë me anë të një njoftimi, ka reaguar vetë Golemi duke thënë se simptomat i ka të ngjashme me COVID19 dhe për këtë shkak është izoluar në banesë.
Por gjithashtu kryebashkiaku socialist shton se tamponin e ka kryer dhe është në pritje të përgjigjes zyrtare nga ISHP.
Golemi sqaron ndër të tjera se është në gjendje të mirë shëndetësore, po punon nga shtëpia dhe pret të rikuperohet plotësisht për t’ju kthyer angazhimeve si më parë.
REAGIMI I PLOTE:
Miq,
pas disa simptomave të lehta që më janë shfaqur një ditë më parë, të ngjashme me Covid 19, vendosa të izolohem në banesë, për të mos rrezikuar kolegët në punë dhe persona të tjerë me të cilët do të kisha kontakt. Kam kryer tamponin dhe po pres zyrtarisht nga ISHP-ja përgjigjen. Ndërkohë do të vazhdoj të ndjek punët dhe detyrat në distancë nga shtëpia. Jam në gjendje të mirë shëndetësore dhe po pres rikuperimin e plotë për t’iu rikthyer sërish angazhimeve si më parë. Ju falënderoj për qindra mesazhe e telefonata që kam marrë fill pas publikimit të nxituar të lajmit në disa media. Duke u kujdesur për veten dhe familjen tuaj do ta mbani larg Covid 19 dhe së bashku do ta fitojmë luftën me armikun e padukshëm.
Ju përshëndes!