Vijojnë të dalin detaje të reja nga vrasja e 50-vjeçarit Ahmet Toska mëngjesin e sotëm, ngjarje kjo e ndodhur në lagjen “Sheq i Madh” në Fier.
Sipas dëshmisë që japin banorët e zonës, ata shprehen se kanë dëgjuar të shtëna, ndërsa viktima ndodhej me gruan e tij dhe është qëlluar me një plumb në kokë nga autorët.
Më tej ata rrëfejnë se familja Toska nuk ka patur probleme dhe se kanë qenë njerëz të qetë dhe të respektuar.
“Dëgjuam krisma armësh, i njohim si familje e mirë. Po shoqëronte gruan për në punë, në një furrë buke. Dëgjova ulërima, bashkëshortja po bërtiste “ma vranë ma vranëëëë. Autorët kanë qenë pa makinë, fëmijët kanë parë lemeri. Këtë rrugë bënte gjithmonë”, shprehen banorët e zonës.
Burime bëjnë me dije se Toska ka qenë pa precedentë të mëparshëm, dhe njihej prej të gjithëve si një njeri i qetë dhe punëtor. Ai është qëlluar në kokë me pistoletë, teksa kishte dalë nga banesa dhe po ecte pranë një shkolle me gruan e tij.
Një banore në pranë lagjes ku u ekzekutua 50-vjeçari, shprehet se ai nuk ishte njeri problematik. Ajo thotë se bashkëshortja e tij punonte në një furrë buke.
“Në mëngjes më tha djali që u dëgjuan të shtëna me armë zjarri. Ahmeti njeri i mirë ishte. Nuk e di shumë mirë se ku punonte. Gruaja punonte tek një furrë buke” – thotë një banore.
Në momentin kur ka ndodhur ngjarja Toska ka qenë i shoqëruar nga gruaja e tij, të cilën në atë orar e përcillte çdo ditë për në punë. Burimet bëjnë me dije për se ajo e ka parë të gjithë skenën, ndërsa në lagje janë dëgjuar të ulëritura. Mësohet se autori e ka qëlluar Toskën nga një distancë mjaft e afërt.