Presidenti Ilir Meta është shprehur sot i shqetësuar në lidhje me numrin e testimeve për COVID19.
Duke iu referuar një raporti të worldometer, ai shkruan se fakti që Shqipëria renditet e fundit në Europë është alarmante dhe shton se rritja e numrit të testimeve ka qenë kërkesë e OBSH.
Sipas tij kjo kërkesë sot është më urgjente se kurrë.
“Është shumë shqetësuese që Shqipëria është e fundit në Europë për numrin e testimeve të kryera.
Testimi është veprim themelor sepse i hap rrugën gjurmimit dhe trajtimit të bazuar mbi diagnozë.
OBSH ka qenë shumë e qartë që në momentin kur pandemia COVID-19 u shfaq, duke kërkuar: TESTIM! TESTIM! TESTIM!
Kjo kërkesë është sot më urgjente se kurrë pasi rastet e të infektuarve, krahasuar me muajin prillin, janë rritur me mbi 11 herë”, bën thirrje Kreu i Shtetit.