Deputeti i opozitës së re Lefter Maliqi e ka nisur fjalën e tij sot në Kuvend me disa akuza të ashpra në drejtim të ministrave.
Sipas tij, ata po keqpërdoren të gjithë nga kryeministri Edi Rama.
Gjatë interpelancës me ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj, Maliqi u shpreh se sistemi i burgjeve është kthyer në klientelist dhe korruptiv.
“Që kur hoqët dy drejtorët socialistë, Arben Çuko dhe Stefan Çipa, dhe emëruat këtë drejtorin Rilindas, e kthyet sistemin në korruptiv dhe klientelist. Po keqpërdoresh nga Rama njëlloj si kolegu juaj, Sandër Lleshaj. Ju kam thirrur në këtë interpelancë për situatën në burgje, grevën e të burgosurve, tenderat korruptivë, largimet e të aftëve dhe emërimet rilindase”, tha Maliqi.
Më pas, teksa po lexonte dy dokumente ku sqarohej se përse ishte larguar nga Policia e Shtetit, njëherë me kërkesën e tij dhe tjetrën për shkak të angazhimeve politike, Maliqi u shpreh se ministrat po keqpërdoren nga Rama.
Ai gjithashtu paralajmëroi se shqiptarët do ta largojnë sektin e Rilindjes më 25 prill 2021, njësoj si kanë bërë me qeverinë komuniste.
Ministrja Gjonaj tha se në burgjet shqiptare po aplikohet sistemi 41Biz, që ka ndërprerë lidhjet kriminale të personazheve të botës së krimit me personat jashtë.
“Kemi rritur pagat e punonjësve të policisë së burgjeve me 11 %, i kemi trajnuar, u kemi siguruar uniforma punonjësve të policisë së burgjeve, kanë një trajtim më të mirë, duke u garantuar gradat.
Nga 120 mln lekë që ishin detyrimet në vitin 2016 për shkak të largimeve të padrejta nga puna, sot këto detyrime i kemi 19 mln lekë. Sot jemi -21 % të popullimit në burgje, ndërkohë që kemi pasur mbipopullim në to”, tha Gjonaj.
Pas fjalës së Gjonaj, ka reaguar sërisht deputeti Maliqi, i cili tha se “ministrja foli si Nexhmija në Kongres”.
“Grevat e urisë në burgje kishin një nga kërkesat përmirësimin e ushqimit, si dhe për shkeljet e Drejtorit të Përgjithshëm. Bëhet tenderi për 350 mln për bukë dhe 250 mln për djath e qumësht, bëhet edhe tenderi mbi 600 mln lekë për ilaçe, keni tenderin e vezëve që 1 kokërr vezë e blinit me 21 lekë ndërkohë që në treg është 14 lekë. Kush i ka fituar tenderat?
Keni 250 emërime të komanduara në burgje. Keni akuza për abuzime ndaj drejtorit, madje edhe për ngacmime seksuale. Çfarë bëni ju ministre? Emëron miqtë dhe të afërmit e deputetëve në sistemin e burgjeve”, tha Maliqi.