Bashkia Kukës, pezullon punimet e nisura kohë më parë për rikonstruksionin dhe zgjerimin e spitalit rajonal të Kukësit. Arsyeja e pezullimit, sipas Drejtorit të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit Vendor Rrahman Dema, është se inspektoriati ka konstatuar se gjatë punimeve firma ndërtuese ka dëmtuar tunelet nëntokësore të spitalit, objekt i rëndësisë së veçantë mbi të cilat do të ndërtohet një objekt I ri spitalor.
Sipas kryeinspektorit Dema Bashkia Kukës, nuk është kundër investimit për rikonstruksionin e spitalit por kundër zgjerimit dhe ndriçimit në pjesën e lulishtes ku aktualisht po kryen punimet.
Sipas Demës, Bashkia ka kërkuar që investimi të kryhet në pjesën e pasme të objektit ekzistues të spitalit ku nuk ka hapësira të gjelbërta dhe nuk cënohen tunelet.
“Bashkia ka qenë për zgjerim nga ana e pasme e spitalit, duke u bazuar te studimi që kemi për territorin si dhe cënimin e tuneleve nëntokësore. Bashkia Kukës i ka dërguar një sërë shkresash Ministrisë së Mbrojtjes për mosdhënien e kësaj leje. Sot është bërë konstatim pezullimi dhe do njoftojmë Ministrinë e Mbrojtjes që të merren masa për mbrojtjen e tuneleve”, thotë drejtori Dema.
Ndërkohë përfaqësues të firmës ndërtuese thonë se janë duke zbatuar projektin e miratuar nga Agjencia e Zhvillimit të Territorrit dhe lejes së ndërtimit të dhënë nga kjo agjensi. Sipas drejtuesit të punimeve Luan Disha, tunelet nëntokësore nuk do të prishen por do të spostohen hyrjet e tyre që do të dalin objektit të ri.
“Asgjë nuk është prekur, kemi vijuar punimet sipas projektit”, thotë Disha.
Sipas projektit parashikohet që të shtohet një godinë e re, në të cilën do jetë Shërbimi i Urgjencës, Salla e operacionit dhe Shërbimet mbështetëse.
Fondi i dhënë për fazën e parë të punimeve arrin në rreth 200 milionë lekë, duke synuar përmirësimin e kushteve për mijëra pacientë që marrin shërbim shëndetësor.
Faza e dytë e punimeve do të tenderohet nga Banka Botërore. Spitali rajonal i Kukësit është ndërtuar në vitin 1974. Në këtë institucion shëndetësor marrin shërbim shëndetësor pacientë, jo vetëm nga Kukësi por edhe nga Hasi e Tropoja.
Në kohën e regjimit komunist për mbrojtjen kombëtare gjatë luftërave të shumta u ndërtuan tunele nëntokësorë të cilët ndërthuren si një labirint që shtrihet përgjatë gjithë sipërfaqes së qytetit të Kukësit. Po ashtu u ndërtuan edhe bunkerë në mënyrë që ata të mund të garantonin mbrojtjen e ushtarëve.
Marre nga Syri.net