Teksa gratë naftëtare të Ballshit kanë hyrë në ditën e 7 të grevës së urisë, ka ardhur një tjetër thirrje për to nga kryeministri Edi Rama.
Ky i fundit i ka drejtuar atyre një apel të fortë, duke u shprehur se hallin e tyre nuk e ka shkaktuar qeveria, dhe se duhet të ndërpresin grevën, në mënyrë që të ulen në bisedime.
Sipas Ramës ky problem nuk mund të zgjidhet me anë të ultimatumeve dhe presioneve.
“Naftëtarët duhet të dalin nga greva që të bisedojmë për të mos i lënë vetëm në këtë hall që as e ka shkaktuar qeveria, as zgjidhet me presion e me ultimatume! Ne nuk kemi shkop magjik, po kemi gjithë vullnetin të lehtësojmë situatën. Me logjikë dhe solidaritet si një familje”, ka postuar Rama në rrjetet sociale.
Kujtojmë së gratë naftëtare ende nuk kanë marrë një zgjidhje, lidhur me kërkesat e tyre për shlyerjen e pagave të prapambetura.
Ato zëvendësuan burrat naftëtarë një javë më parë për të vijuar betejën për realizimin e kërkesave të tyre.
Njëra nga naftëtaret tha se gjendje e grave është shume e rënduar, ndërkohë që i bënë thirrje qeverisë dhe kreut të saj që të reagojnë.
Ndërkohë që gratë janë të vendosura që të vazhdojnë ngujimin e tyre deri në realizimin e kërkesave të tyre.