Kreu i Partisë Konservatore, Kujtim Gjuzi është shprehur i prerë se nuk ka ndërmend të vendosë maskë edhe nëse gjobitet sërish. I ftuar në Report TV, Gjuzi tha se policët që e kanë ndaluar për ta gjobitur nuk kishin numër identifikimi si dhe në fletën e gjobave nuk ishte evidentuar një institucion ankimimi.
“Nëse unë e kam shkelur ligjin, marr gjobë ndërsa nëse kam shkelur maliqin do paguaj gjobën. Policët nuk kishin numër identifikimi, as emër. Nuk ka poshtë të shënuar institucionin e ankimimit. Është gjoba COVID-Rama-19. Ku të ankohet Kujtim Gjuzi. Tani sa të dal prej këtu le të vijë policia të më vendosë gjobë,”- tha Gjuzi.
Deputeti komentoi dhe për historitë e tij për ndarjen nga bashkëshortja dhe lidhjen me një vajzë tjetër. Kujtim Gjuzi u shpreh se këto histori janë kanë sajuar njerëz të Lulzim Bashës.
“Ato m’i kanë shpikur njerëzit e Bashës. Unë jam njeri që e dua familjen. Unë kujdesem për 4 fëmijët e mi. Edhe për ata që më kanë sulmuar. Unë paguaj detyrim për të mbrojtur familjen, nuk them dot ende ish-familje,”– tha Gjuzi.
Deputeti theksoi gjithashtu se është kundërshtar politik me të gjithë, sidomos me Ramën. Ai u shpreh se Meta dhe Edi Rama ranë dakord që të mbanin vendin peng, më datë 1 prill në Shkodër dhe se s’mund ta mbështesë ‘komunizmin’ kur i ka vrarë familjarë.
“Ata kanë bërë zullume, më 1 prill në Shkodër Meta dhe Edi Rama ranë dakord që të mbanin vendin peng. 77 vite vendi është peng i Partisë Komuniste. Disa kriminelë janë pjesë e Partisë Socialiste. Konservatorët, akademia ka vendosur që ne do shkonim në Parlament. Në listë të PD-së më ka vendosur Partia Konservatore. Kam qenë në krah të doktorit në vitet më të vështira. Unë për bacën kam konsiderata të mëdha. Partia Konservatore mbron përherë bacën. Nëse nuk vidhen vota, ju do thoni sa shumë konservatorë paska këtu. Nëse do të bëjmë një shëtitje në bulevard, shihni a më takojnë apo jo se 11 persona. Unë i kam kundërshtar politikë ata pasi partia e tyre më kanë vrarë familjarë të mi,”– tha Gjuzi.