Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e ka thënë hapur se nuk do ta respektojë vendimin e Qeverisë për mbajtjen e maskës. Për Kryemadhin ky vendim do të rëndojë mbi xhepat e qytetarëve dhe ngjason me një koncesion i cili synon të garantojë shitjen e maskave.
“Ky zotëria na thotë po ece në rrugë duhet të jesh me maskë, ndërsa po hyre 100 veta në lokal, mos mbani maskë. Dakord që ky po na nxirrka një modë të re të vendosjes së maskës në çdo ambient përveçse në shtëpi, a e ka bërë llogari ky njeri se sa do t’u kushtojë xhepave të shqiptarëve kjo maska? Maska më e lirë është 700 lekë. Apo ka nevojë ky që të bëjë një tjetër koncesion për këto maskat në mënyrë që t’u garantojë shitjen. Unë personalisht nuk do ta mbaj maskën dhe u bëj thirrje gjithë qytetarëve shqiptarë që mos ta mbajnë atë, përveçse aty ku është e domosdoshme për ta mbajtur. Nuk besoj që Edi Rama ka kaq shumë problem shëndetin e shqiptarëve, sepse po të kishte këtë problem, gjënë e parë që do kishin bërë do të ishte anulimi i koncesionit të shëndetësisë. Këta njerëz që kanë grabitur pushtetin nuk meritojnë gjë tjetër veçse, jo vetëm që nuk duhet përdorur maska, por duhet dalë në rrugë.
Po le të guxojnë dhe unë do t’u bëj thirrje çdo qytetari që do ta ndalojë çdo polic, qoftë i Edi Ramës qoftë i Erion Veliajt, t’i kundërpërgjigjet, sepse vetë policët të parët nuk do të kenë lekë për të blerë maska”, ka deklaruar Kryemadhi, e ftuar në RTV Ora.