Partia më e re politike “Bindja Demokratike” është gati për t’u regjistruar në Gjykatën e Tiranës, pasi ka arritur të mbledhë 3 mijë firma. Procedura ligjore do të bëhet nesër paradite, duke qenë kështu edhe brenda afatit të fundit të regjistrimit të partive politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për garën elektorale të 30 Qershorit.
Partia e re nuk e ka zyrtarizuar ende kryetarin e saj, por mësohet se ajo do të drejtohet nga ish –nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi. Rudina Hajdari që mendohej se do të ishte pjesë e kësaj partie politike është tërhequr përkohësisht nga ky projekt.
Deputetja që kryeson grupin e ri demokrat në Parlament pati një takim me Patozin të shtunën për të diskutuar mbi detajet e grupimit të ri politik. Por ajo ka hezituar për të qenë në krye të partisë dhe ka kërkuar më tepër kohë.
Këtë qëndrim deputetja Hajdari e ka përforcuar përmes një statusi në rrjetet sociale ku pohon se nuk do të jetë në krye të kësaj partie, dhe se angazhimi kryesor për të është kryesimi i grupit parlamentar demokrat në Parlament.
Por Hajdari përshëndet krijimin e çdo forumi të ri politik, të cilin e sheh si një hapësirë më shumë për demokratizimin e politikës dekadente që sipas saj ka përfshirë vendin.
Teksa pritet zyrtarizimi i emrit të kryetarit, Bindja Demokratike ka formalizuar bordin e saj, në të cilin bëjnë pjesë ish-anëtarë të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, si Leonard Olli, Fabian Topollaj apo dhe Ardian Kollozi.