Për të reduktuar barrierën gjinore, qeveria shqiptare po angazhohet gjithmonë e më shumë për të promovuar pjesëmarrjen e gruas në biznes.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, mori pjesë në konferencën “Klima e përgjithshme e biznesit dhe ndikimi i tërmeteve të vjeshtës 2019 dhe COVID-19 tek gratë sipërmarrëse”, që u organizua nga Shoqata “Together for Life”, me mbështetjen e Ambasadës Austriake në Tiranë, ku ishin të pranishëm edhe Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi, Ambasadori i Austrisë, Christian Steiner, si dhe Ambasadorja e Holandës, Guusje Korthals Altres.
Në fjalën e saj, Denaj u shpreh se qeveria shqiptare është e angazhuar në hartimin e politikave në mbështetje të gruas sipërmarrëse.
“Në vitet e fundit kemi punuar ngushtësisht me shumë programe që synojnë të përmirësojnë kuadrin ligjor, veçanërisht ai në raport me ligjin ‘Për noterët’ ku është rregulluar njohja e gruas në të gjithë procedurat e regjistrimit të pronësisë apo të trajtimit të pronës midis bashkëshortëve, me qëllim barazinë. Po kështu jemi angazhuar në një program për të zhvilluar SME-në në Shqipëri, me qëllim jo vetëm për të rritur shkallën, por edhe për të dalë nga sipërmarrje me numër të ulët të punësuarish. Gjithashtu më lejoni të theksoj elementë të rëndësishëm të cilët vlejnë sot dhe që në raport me buxhetin e shtetit, me atë që është programi i mbështetjes me bazë gjinore, që është një arritje në 7 vitet e qeverisjes socialiste.
Flasim për 33 programe të cilat në bazë kanë barazinë gjinore dhe flasim për vitin 2019 me një rritje gati 50% të të gjithë programeve buxhetore për çdo ministri linje për fokus në barazinë gjinore. Sigurisht, për të arritur në këto shifra ne kemi pasur edhe mbështetjen e përfaqësuesve të Bankës Botërore dhe Agjencisë Franceze të Zhvillimit, të cilët janë angazhuar dhe me formën e tyre të kredi dhënies në dy programe të rëndësishme që jemi duke i zhvilluar”, tha Ministrja Denaj.”
Në vitin 2019 ishin 32.7 miliardë lekë ose 6.3% të alokuara për buxhetimin gjinor, krahasuar me 15 miliardë lekë (2.4% të buxhetit të përgjithshëm) të planifikuara për t’u shpenzuar në 2018, për të mbyllur në mënyrë specifike boshllëqet gjinore, ose për të përparuar barazinë gjinore.
MFE nga ana tjetër është duke punuar rikonceptimin e skemave – grant të cilat do të shërbejnë për përmirësimin e marrjes së shërbimeve mbështetëse nga SME-të, si edhe për të rritur aksesin në financë.