Zef Preçi, kreu i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, i bën një skaner situatës pas grabitjes së 7 milionë eurove në Aeroportin “Nënë Tereza”.
Ai mendon se institucionet përgjegjëse që duhet të bashkërendojnë transferimin e informacionit dhe të ekzekutojnë veprimet, nuk e kanë bërë punën e tyre.
Preçi nënvizon në një intervistë për gazetën ‘SI” se Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë duhet të sjellë në vëmendje rregulloren për transferimin e parave.
Preçi thotë se është pikëpyetje shumë e madhe transporti i parave në mënyrë fizike, pra me thasë, në një kohë kur mund të transferohen me sëift.
INTERVISTA dhënë gazetares Sabina Veizaj:
Çfarë implikon ngjarja e grabitjes së parave në Aeroportin “Nënë Tereza” në aspektin e përgjegjshmërisë institucionale dhe garantimit të sigurisë kombëtare?
Së pari, është një ngjarje që sjell në vëmendjen e opinionit problemet serioze që ka lufta kundër terrorizmit dhe siguria në objekte të rëndësishme në objekte publike dhe shtetërore.
Së dyti, sjell në vëmendje të opinionit publik dështimin në marrjen e masave pas ngjarjes së ngjashme tre-katër vite më parë.
Së treti dëshmon dobësitë serioze të mbikëqyrjes dhe bashkërendimit të punës mes agjencive ligjzbatuese për parandalimin e ngjarjeve të tilla, gjithashtu edhe kur ndodhin.
Nga pikëpamja e luftës kundër terrorizmit i bën një ekspozim tejet negative vendit dhe do të duhet kohë për ta sjellë në standard bashkëkohore dhe për të garantuar mbrojtjen e nevojshme.
Po në aspektin teknik të transferimit të parave nga bankat e nivelit të dytë jashtë vendit?
Nga pikëpamja teknike mendoj që është pikëpyetje shumë e madhe domosdoshmëria e transportit të parave fizikisht në një kohë kur switch i transfertave tona ndodhet jashtë vendit. Pra lekët tona i kemi me switch jashtë vendit.
Janë të automatizuara, elektronike. Është një pikëpyetje shumë e madhe. Ka nevojë për hetim për të sqaruar nëse bëhet fjalë për evazion deri tek dyshimet për pastrim parash; përdorimi i mjeteve formale për kryerje të aktiviteteve informale.
A mund të transportohen paratë në një linjë pasagjerësh dhe kur ndodh transporti i parave në shuma të tilla të mëdha?
Mënyra e transportit të parave zgjidhet me një rregullore të posatshme. Por si rregull transfertat e parave nga brenda-jashtë dhe anasjelltas ndodhin në periudha krizash dhe kur vendi ka nevojë për likuiditet.
Rasti i transportit të një shume parash në Greqi në periudhën e krizës, ose rasti i transportit të një sasie të madhe dollarësh në Irak në periudhën e krizës.
Pra transferimi fizik i parave është një përjashtim, jo normë.
Përmes marrëveshjeve si FAFA etj, bankat komunikojnë me njëra-tjetrën dhe lejojnë që informacioni të qarkullojë nga një agjenci investigative te tjera për mbrojtje nga evazioni, pastrimi i parave, etj.
Ky që ka ndodhur nuk është transferim parash, është një transport fizik i parave dhe ngre pikëpyetje të mëdha mbi legjitimitetin e transaksionit dhe njëkohësisht nëse bëhet fjalë për fshehje taksash, etj. Më e pakta që të shkon mendja është që është aktivitet i dyshueshëm për evazion fiskal.
Si dokumentohen lëvizje të tilla?
Në rastin që bëhen fizikisht lë shteg për dyshime që këto para përdoren për qëllime jo transparente, ndoshta të paligjshme, më e pakta fshehje taksash dhe më e shumta pastrim parash, apo para që vijnë nga korrupsioni apo aktivitete kriminale.
Çfarë përgjegjësie bie mbi bankat në këtë rast?
Çdo shumë që nuk kalon përmes sistemit është I dyshimtë që mund të mos pasqyrohet, të fshihet apo për të ushqyer kanale të caktuara që nuk dihet se ku shkojnë.
Po Banka e Shqipërisë si pozicionohet në këtë situatë?
Do t’i sillja në vëmendje Bankës së Shqipërisë disiplinimin e transfertave fizike, qoftë ndërmjet bankave, qoftë edhe ndërmjet vendeve.
Një Vendim i mëparshëm i Këshillit Mbikëqyrës i detyronte kompanitë që të përdornin sisteme që janë bashkëkohore përsa i takon trasfertave.
Siç bëhet në Amerikë. Në momentin që shqyhet kasaforta, paratë bëhen të papërdorshme.
Kompania Austrian Airlines ka deklaruar se nuk do të ketë më transferat parash përmes kësaj linje ajrore. Si e lexuat ju?
Më tërhoqi shumë vëmendjen dhe ha shumë diskutim sepse lë për të dyshuar se kjo praktikë mund të mos ketë qenë e rregulluar dhe praktikë normale.
Duhet para nëse këto kompani janë të licencuara për transport parash, pasi kompanitë respektive janë të licencuara për transport pasagjerësh e të tjera për transport mallrash.
Ka rregulla të posaçme.
Këshilli Mbikëqyrës duhet të sjellë në vëmendje procedurat, rregullat dhe njëkohësisht duhet të rrisë kontrollin për zbatimin e tyre.
Nuk ju bie në sy që në të njëjtin avion kishte 3-4 kompani sigurie që po shpinin paratë, në një kohë kur do të ishin zbatuar rregullat, nuk do të kishte nevojë për katër makina sigurie shoqëruese. Ka nevojë të shihen dhe një herë e të skanohen rregullat në mënyrë që të garantohen sistemet bashkëkohore dhe zbatimi i rregullave.
A rrezikohen depozituesit në këtë rast?
Jo, merret e mirëqenë që depozituesit janë të garantuar. Direkt apo indirekt të penalizuar janë konsumatorët. Operatorët ekonomikë, që në këtë rast janë bankat tregtare mjaftohen me rishikimin e normave të fitimit të tyre që vijnë nga shërbimet, kostot, komisionet, etj.
E keni bërë ndonjëherë pyetjen që paratë që u vodhën në Bankën Qendrore ku u prek kapitali i bankës, u zëvendësua kapitali apo u penalizuan depozituesit dhe përfituesit e shërbimeve bankare?
Sigurisht janë penalizuar viktimat, konsumatorët.
Por ngjarjen nuk duhet ta trajtojmë si alarm. Ne kemi ligje dhe rregulla që duhet ti zbatojmë.
U tha që është lëvizur betoni që të kalonte fugoni i grabitësve. Por asnjë nuk e tha që është përgjegjësi e policisë të njoftojë pasi e merr informacionin nga kamerat.
Seciurity bën transportin, por sigurimin e rendit dhe sigurisë në aeroport e ka Policia e Shtetit.
Monitorimi është on line.
Ngre pikëpyetje të mëdha në rrjedhjen e informacionit. Duhet të ngrihet problematika e përzgjedhjes së punonjësve të sigurisë private. Procesi i trajnimit, mbikëqyrjes, garancive janë të dyshimta. Pikëpyetje e madhe mbi sistemet e sigurisë.
A ka një korrelacion mes viteve elektorale dhe ngjarjeve të tilla?
Këto ngjarje të tilla ndodhin hashiqare në vite elektorale, prag fushate. Në kohën kur policia përdor gaz lotsjellës për të nxjerrë njerëz nga shtëpia pa vendim gjykate duke mos i lënë hapësirë për ankimim. Ka një arrogancë të shtuar të shtetit nga njëra anë dhe nga ana tjetër ka një ngjarje të tillë që na bind që do të bëhen zgjedhjet.
Pse mendon se do të bëhen zgjedhjet?
Që nga viti 1992 zhduken biznesmen, grabiten kambistë, grabiten filial bankash etj, në prag të fushatave zgjedhore. Unë nuk e përjashtoj sfondin politik me interesa kriminale, pavarësisht ngjyrave. Pushteti merret me vetveten, policia e ka hallin kush shan qeverinë, merret me kundërshtarët politik, kuptohet që krimi lulëzon dhe i kthen sytë nga pasuritë.