Pas disa kërkesave dhe refuzimeve të njëpasnjëshme, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka miratuar vendimin për të lejuar fillimin e testimeve serologjike edhe në strukturat jopublike, pra në laboratorë privatë.
Ministria e Shëndetësisë në njoftimin e saj bën të ditur se “testet serologjike të aprovuara nga Agjensia Kombetare e Barnave dhe Paisijeve Mjekësore do të jenë të vetmet që do të lejohen të përdoren në laboratorë të liçensuar jo publikë dhe të njohur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si laboratorë që plotësojnë standardet për kryerjen e testit serologjik, për praninë e antitrupave të krijuar nga Sars-Cov2”.
Po ashtu Ministria thotë se testet serologjike në laboratorin e mikrobiologjisë në QSUT nuk do të ndërpriten, ndërsa “është planifikuar fillimi i kryerjes së testimit serologjike në një kampion të popullatës, për qëllime studimore nga Instituti i Shëndetit Publik”.
PROTOKOLLI i miratuar nga Ministria e Shëndetësisë:
1-Testimi për kundërtrupa tregon nëse e ke kaluar apo jo infeksionin nga SARS-CoV-2 në të shkuarën, por ky test nuk tregon dhe nuk duhet përdorur për të evidentuar infeksionin aktual. Do të duhen të kalojnë 1-3 javë pas infeksionit, që trupi të prodhojë kundërtrupat. Këto rezultate janë të rëndësishme për të informuar mbi personat që mund të kualifikohen si dhurues të gjakut, i cili mund të përdoret për të përgatitur plazmën konvaleshente, një produkt i cili po shihet për t’u përdorur tek personat që janë shumë të sëmurë me COVID-19.
2-Sido që të jetë rezultati i testimit, pozitiv apo negativ, përsëri duhet të merren masa mbrojtëse për veten dhe të tjerët.
3- Vetëm testet serologjike të aprovuara nga Agjensia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore do të lejohen të përdoren dhe të vlerësohen.
4- Këto teste mund të përdoren në laboratorë publikë dhe privatë. Po ashtu, këto teste përdoren në studimet e Seroprevalencës, ku ISHP vlerëson numrin total të njerëzve që janë infektuar, përfshirë këtu edhe ato infeksione që nuk janë identifikuar.