Kujtesën e mendojmë si një kasetë që shpaloset dhe që i mban të gjitha informacionet, mendimet dhe faktet njëra pas tjetrës, ngjarjet si kanë ndodhur, njësoj si një video. Sigurisht që kujtesa nuk funksionon kështu. Më shumë se sa vazhdimësi, kujtesa ka copëza të ngjarjeve, eventeve, momente, çaste, mendime, të cilat i lidh bashkë dhe krijon një ide të përgjithshme.
Kujtesa na ‘lë në baltë’ për shumë arsye. Shumë herë mbajmë mend disa detaje nga një event, ndërkohë që nuk kujtojmë detaje të tjera, të cilat edhe mund t’i kemi parë por mund të mos i kemi kushtuar vemendje. Ndoshta atë detaj për të cilin po rrëmojmë në kujtesë, nuk e kemi sepse nuk i patëm kushtuar mjaftueshëm vemendje sa ta ‘regjistronim’. Dhe i gjithë kërkimi përfundon me : “ Nuk më kujtohet! Nuk e mbaj mend!”
Por kujtesa mund të na ‘lërë në baltë’ edhe atëherë kur mendojmë: “E mbaj mend shumë mirë.”
Atëherë kemi pasur një kujtim të rremë, ose kujtim fals.
Çfarë është një kujtim i rremë?
Kujtimet false ose të rrema janë kujtime të cilat njeriu beson që janë të vërteta, por që në realitet nuk kanë ndodhur.
Zakonisht këto mendime janë në lidhje me detaje të vogla të jetës së përditshme si psh të jesh i sigurt që i ke vendosur mbi tavolinë çelësat, por që në fund rezulton që nuk janë aty. Ose janë pjesë e kujtimeve nga fëmijëria, për të cilat mund të mendoni që ‘e mbaj mend vetë’ kur në fakt ju keni rindërtuar ngjarjen që keni dëgjuar nga prindërit apo të afërmit tuaj.
Por të mos ngatërrohemi, kujtimet e rrema nuk janë njësoj me gabimet e memories që ndodhin rëndom. Kur njerëzit flasin për kujtime të rrema ata janë të sigurt, pra ka një siguri të jashtëzakonshme nga ana e individit.
Dr. Elizabeth Loftus është një ndër studiueset më të rëndësishme në hulumtimin e kujtimeve të rreme. Ajo madje ka arritur deri atje sa te provojë se mendjeve tona mund t’i induktojmë kujtime të rrema, pra dikush mund të vijë të thotë se kur ke qenë i vogël ke thyer krahun, megjithëse ju nuk mbani mend asgjë nga kjo, por duke e dëgjuar disa herë nga ai person, tani mund edhe ta përfytyroni sesi keni rënë nga biçikleta dhe keni thyer krahun. Madje madje ‘mbani mend’ edhe si keni shkuar ne spital.
Sa na ndikojnë këto lloj kujtimesh ne?
Kujtimet e rreme kanë një impakt jo të vogël në jetët tona. Dikush për shkak të një kujtimi fals mund të mos konsumojë ushqime të caktuara sepse ’Kishte ngrënë dikur dhe ishte sëmurur’. Kujtimet e rreme mund të ndikojnë dhe në vendimet që dikush mund të marrë në fund të jetës, cilin trajtim mjekësor do të marrë apo edhe kush duhet të kujdeset për ta…
Kujtimet e rrema janë për t’u konsideruar edhe në fushën e drejtësise, e cila varet shumë nga dëshmitë e personave. Ka mjaft studime që kanë treguar që këto kujtime kanë bërë që njerëzit të akuzohen padrejtësisht dhe të burgosen. Për shembull në 1994, një mësuese 26 vjeçare u dënua me 4 vite burg me akuzën e dhunimit të 20 fëmijëve në klasën e saj. Pas vlerësimit të një komisioni me 50 shkencëtarë, u vërtetua që dëshmitë e pamundura të bëra ndaj të akuzuarës, kishin qenë kujtime të rreme të dëshmitarëve.
Jemi të ndërgjegjshëm që kujtesa jonë është e mahnitshme. Patjetër që ne varemi kaq shumë prej saj në çdo moment të jetës.
Por duhet të kuptojmë edhe që kujtesa nuk është e pagabueshme. Shpeshherë harrojmë gjëra që duhet t’i mbanim mend, por ndonjëherë edhe kujtojmë gjëra që nuk na kanë ndodhur…
Po ju, a jeni të sigurt që nuk keni asnjë kujtim të rremë?/Business Magazine/