Pas miratimit të ndryshimeve Kushtetuese nga Komisioni i Ligjeve paraditen e sotme, ka ardhur dhe reagimi i Partisë Demokratike.
Sipas kësaj force politike qëllimi i vetëm i kryeministrit Edi Rama është heqja e koalicioneve parazgjedhore.
PD shton se listat nuk janë hapur sa kohë që 1/3 e tyre do të vendosen nga partia, pra nga kryetari.
Gjithashtu në reagim thuhet se kjo nënkupton se nëse në Tiranë ka 34 kandidatë për deputetë, atëhere 11 kandidatë listohen nga partia dhe janë të pandryshueshëm, (pra lista gati fituese është e mbyllur), ndërkohë që qytetarët mund të zgjedhin nga mandati i 12 e në vijim. Pra, nëse një parti politike fiton 15 mandate në Tiranë, atehere 11 janë në listat e mbyllura të partisë dhe të caktuar prej saj dhe vetëm 4 deputetë mund të zgjidhen nga qytetarët.
DEKLARATA E PLOTE E PARTISE DEMOKRATIKE
Bie alibia, Rama nuk hap listat, por heq vetëm koalicionet parazgjedhore. Është zbardhur sot drafti i miratuar nga Komisioni i Ligjeve, ku PS ka bërë ndryshimet e saj në draftin e opozitës parlamentare. Në draftin e miratuar përcaktohet se listat e hapura shtrihen vetëm për 2/3 e listave, ndërkohë që 1/3 e listës caktohet në mënyrë të pandryshueshme nga partia.
“Ligji për zgjedhjet garanton që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohen jo më pak se dy të tretat e listës shumemërore” – thuhet në draftin e miratuar. Kjo nënkupton që nëse në Tiranë ka 34 kandidatë për deputetë, atëhere 11 kandidatë listohen nga partia dhe janë të pandryshueshëm, (pra lista gati fituese është e mbyllur), ndërkohë që qytetarët mund të zgjedhin nga mandati i 12 e në vijim.
Pra, nëse një parti politike fiton 15 mandate në Tiranë, atehere 11 janë në listat e mbyllura të partisë dhe të caktuar prej saj dhe vetëm 4 deputetë mund të zgjidhen nga qytetarët. Praktikisht pjesën fituese të listës e cakton partia dhe jo qytetarët.
Kjo rrëzon alibinë e Edi Ramës se do të hapte listën, duke dalë zbuluar që qëllimi i vetëm i ndryshimit është heqja e koalicioneve parazgjedhore.