Të gjithë e mbajmë mend mesazhin zanor të Ramës në telefon, në kohën e fillimit të pandemisë, sesi dilte zëri i kryeministrit kur tentonim të merrnim dikë.
Shumë persona u bezdisën nga kjo gjë duke thënë se sipas tyre ishte një si lloj ndërhyrje në privatësi.
Ndërkohë në lidhje me këtë temë ka folur sot në Kuvend dhe kreu i AKEP Tomi Frashëri.
Ky i fundit është pyetur nga deputeti Korab Lita për mesazhin e Ramës.
Sipas Frashërit, një mesazh i tillë ishte dërguar edhe nga vende të tjera duke përdorur persona të ndryshëm si këngëtarë, artistë apo prefektë të zonave. Megjithatë ai shtoi se Rama kishtë kërkuar që mesazhi të kufizohej vetëm brenda fundjavës.
BISEDA NE KUVEND:
PYETJE: Mesazhi i Ramës gjatë pandemisë, intimidimi i medias? E keni autorizuar? E keni verifikuar?
Tomi Frashëri: Në ditët që pasuan 6 marsin, autoritetet u përpoqën të gjenin mënyra nga më të pamendueshmet për të sensibiluar popullinë të merrte akte jetëshpëtuese. Edhe në Kanada shteti ia besoi mesazhet artistëve, në Francë ia lanë prefektëve. Ishin ditët e para u kërkua nga qeveria një bashkëpunim me të gjithë institucionet që të kujdeseshin për gjendjen. Në mungesë koordinimi, kryeministri propozoi që të bënte mesazhin e tij vokal. Ky ishte për sensibilizim dhe vetë kryeministri me miratimin e operatorëve kërkoi që të ishte e kufizuar në kohë, vetëm për fundjavën. Kështu u gjet zgjidhja. Për çështjen e kontentit, secili ka mendime personale. AKEP nuk e kontrollon kontekstin. Mënyra si proceduam është kjo që shpjegova, ishte urgjente dhe emergjente. Në asnjë vend nuk ka rregullime ligjore që të përcaktojnë autoritetet për të çuar mesazhe zanore. Së fundmi, zoti Lita më bën një kujdesë për ligjin. Ky ligj nuk duhet konsideruar i hyrë në fuqi sepse e ka kthyer në Kuvend zoti Meta. Projektligji 91 2019, nuk ka hyrë në fuqi por ama 92 2019 ka hyrë në fuqi është botuar në Fletoren Zytare. Ne jemi të pavarur por edhe ligjzbatues, nëse kërkoni ta rishikoni mund ta bëni.